Shqipëria

Hyn në fuqi sistemi i ri i pagave në OSHEE: Rritje të pagave nga elektricistët te faturistët


Sistemi i ri i pagave për punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të futet në fuqi nga ky muaj.

Kështu ka njoftuar zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Ajo ka zbuluar ndër të tjera se kjo rritje do të bëhet sipas sektorëve, duke filluar nga elektricistët, teknikët, inxhinierët dhe faturistët, të cilët janë zanafilla e mbledhjes së atyre të ardhurave.

“Të gjitha pagat e OSHEE grup do të afektohen me një rritje sipas sektorëve. Pasi synimi ka qene për t’i dhënë një shpërblim punonjësve të terrenit duke filluar nga elektricistët, teknikët, inxhinierët dhe pse jo faturistët, të cilët janë zanafilla e mbledhjes së atyre të ardhurave, që administratori juaj i deklaroi me krenari dhe është për t’u deklaruar sepse muaji tetor është mbyllur me një shifër rekord, me 113% të mbledhjes së të ardhurave”, ka thënë Balluku.

“Jemi përballur me tërmetin, me pandeminë dhe më pas me krizën energjetike dhe na është dashur që këto katër vite të tregohemi kursimtar dhe të kujdesshëm. Për arsye se ka qene vendim i kryeministrit Edi Rama dhe i qeverisë shqiptare që çmimi i abonentit të mos preket. Për këtë arsye na është dashur të frenonim investimet”, ka shtuar ajo.

Balluku, duke marrë për krahasim pagën e një elektricisti sot me rritjen e re, paga e tij do të shkojë nga 50 mijë në 70 mijë ndërsa kësaj shume do t’i shtohet për herë të parë edhe koefiçienti i vjetërsisë në punë.

“Paga e elektricistit që deri më sot ka qenë rreth 50 mijë lekë, shkon në 70 mijë lekë, ashtu siç administratori tha, kini parasysh që do të aplikohet për herë të parë edhe vjetërsia në punë, duke u bazuar mbi atë skemë që tashmë është aplikuar edhe në administratën publike. 0.6% është llogaritja e vjetërsisë së punës për 10 vitet e para, 0.8% nga viti 10 deri në vitin e 20 dhe 1% për 10 vitet e treta në punë”, ka shtuar Balluku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore