Kosova

Huqje apo për konsum politik? – Deklarimet e gabuara të Kurtit për rastet në gjykata


Rikthimin e mbi 1 mijë rasteve në rigjykim nga Gjykata e Apelit gjatë vitit të kaluar, ish-gjyqtari i kësaj gjykate, Driton Muharremi, po e sheh si normale, përkundër kritikave nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e vlerësoi numrin si shumë të lartë.

Por, Muharremi thonë se shifra prej 1 mijë ngjan e lartë vetëm nëse përmendet jashtë numrit të përgjithshëm të lëndëve që kalojnë në Apel që është 17 mijë e 363.

“Në shikim të parë duken të larta, por nuk janë paraqitur edhe statistikat e lëndëve që kryhen nga Gjykata e Apelit, pasi që nëse kthehet në përqindje deri vonë numri i lëndëve të anuluar është sjellur prej 20-23 për qind e që mendoj se kjo është ne kuadër të një përqindje brenda një kufiri normal”, tha Muharremi.

Madje, përqindja është edhe më e vogël sec e thotë Muharremi, pasi sipas të dhënave të publikuara në webportalin e KGJK-se, Apeli në vitin e kaluar, i ka zgjidhur plotë 17 e 363 lëndë dhe vetëm 1 mijë e 754 I ka kthyer që kthyer në përqindje janë vetëm 10 për qind.

Pasur parasysh shifrat, Muharremi thotë se deklarimet e Kurtit janë thjesht “për konsum ditor politik”.

Ai madje  beson se Qeveria e Kurtit as nuk e ka shqetësim konkret këtë punë.

“Pushtetet janë të ndara dhe gjyqësori e ka një Këshill Gjyqësor që jo vetëm që ka mandat por edhe kujdeset për funksionimin dhe mbarëvajtjen dhe përmirësimin e punës së gjykatave”, shtoi ai.

Megjithatë, ai nuk e mohon që në disa raste mund edhe të ketë ndikim presioni publik që gjyqtarët të marrin vendime më të ashpra për të akuzuarit.

“Gjyqtarët janë njerëz dhe jetojnë në një realitet të njëjtë me qytetarët dhe një presion publik mund të ndikojë që në raste të caktuara vendimet, sidomos vendimet mbi dënime, të jenë më të larta se sa janë nga praktikat normale”, ka shpjeguar ai.

Edhe avokati Anton Nrecaj ka kritika për qasjen e qeverive, jo vetëm kësaj të fundit, por secilës para saj.

“Qeveria aktuale por edhe qeveritë e mëparshme gjithmonë kanë fajësuar gjykata për dështimin e sistemit të drejtësisë. Por, asnjë nga qeveritë nuk ka bërë asgjë për të bërë reforma serioze në sistemin e drejtësisë, pos kritikave ndaj prokurove e gjyqtarëve për rezultate jo të kënaqshme”, thotë Ndrecaj për AP.

Sipas tij, përkundër insistimit të kryeministrit Kurti për Vetting, “deri më tani Qeveria nuk ka bërë asgjë për ta filluar këtë proces”.

“Një prej zotimeve me të zëshme e ka pasur Vettingun e që në fakt akoma nuk kemi ndonjë veprim konkret apo plan se si dhe kur do të fillojë”, shtoi avokati.

“Vettingu është zgjidhja”

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti ka thënë se drejtësia vazhdon të jetë joefikase dhe e ngadaltë.

Kurti kritika në veçanti adresoi për Gjykatën e Apelit, për të cilën tha se gjatë vitit të shkuar në rigjykim ktheu 1 mijë e 754 raste, por ose nga mungesa e informacionit, apo për arsye të tjera, Kurti nuk ceku se kjo është një shifër normale e kthimit të rastit nga Apeli dhe në të gjitha vendet e rajonit është përqindje e njëjtë.

Kurti përmendi prapë reformën me Vetting, edhe pse po kalon mandati 4 vjecar dhe s’ka filluar akoma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore