Lajme

Huqja e Kurtit – Varadkar s’është kryeministri i parë i Irlandës që viziton Kosovën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke prezantuar me pompozitet arritjen në Kosovë të Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar, tha se kjo është vizita e parë e ndonjë kryeministri irlandez në vend, mirëpo një pohim i tillë nga ana e shefit të qeverisë është i pavërtetë.

Varadkar, i cili arriti në Kosovë vetëm para pak çastesh, nuk është kryeministri i parë i Irlandës që viziton Kosovën, ashtu siç tha Kurti.

I pari shef i ekzekutivit irlandez që kishte vizituar Kosovën kishte qenë Brian Cowen – i cili ka shërbyer si Kryeministër i Irlandës në periudhën kohore 2008-2011.

Cowen e kishte vizituar Kosovën në vitin kur kjo e fundit kishte shpallur pavarësinë, pra më 2008.

Madje, ai kishte mbajtur edhe një konferencë për media së bashku me Kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

Brian Cowen në Kosovë me Hashim Thaçin dhe Fatmir Sejdiun

Ndryshe, Kurti ka pritur këtë të mërkure në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, homologun e tij irlandez Leo Varadkar, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku edhe publikoi disa pamje nga pritja e kryeministrit irlandez.

Foto: Albin Kurti

“Sonte në aeroportin e Prishtinës e mirëpritëm Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë”, shkroi Kurti diçka që rezultoi e pavërtetë.

Postimi i Kurtit

Varadkar, së bashku me një delegacion shoqërues do të qëndrojë për një vizitë një ditore në Kosovë.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti dhe homologu i tij irlandez do të takohen të enjten duke filluar nga ora 09:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpret me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e Varadkar, ku ka bërë me dije se për shkak të sigurisë së tij do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.

“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, ka thënë policia.

Policia e Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore