Lajme

Hunter Biden mund të dënohet për krime me taksat


Byroja Federale e Hetimit në SHBA ka mbledhur prova të mjaftueshme për të inkriminuar Hunter Biden, djalin e presidentit amerikan, Joe Biden, për shkelje të kryera me taksat dhe një dëshmi të rreme për blerjen e një arme.

Ky hetim federal është ndërmarrë që prej vitit 2018 ndaj Hunter Biden dhe tashmë, katër vjet më pas, mund të ketë prova të mjaftueshme për dënimin e tij.

Kështu shkruan media shtetërore britanike BBC, e cila së bashku me median amerikane CBS, ka siguruar dëshmitë mbi këtë çështje.

Megjithatë, nëse akuzat do të ngrihen apo jo, kjo mbetet në dorë të prokurorëve në shtetin e Delaware.

Një prej avokatëve të Hunter nga ana tjetër, theksoi se pala nuk është kontaktuar prej agjentëve federalë amerikanë dhe vetë Biden, e mohon kategorikisht shkeljen e ligjit.

Po ashtu, Departamenti i Drejtësisë në SHBA, ka refuzuar të komentojë mbi çështjen.

Djali 52-vjeçar i kreut të Shtëpisë së Bardhë, një avokat dhe lobist i njohur, i cili ka punuar jashtë vendit në vende si Kina apo Ukraina, u përjashtua nga Marina amerikane në vitin 2014, kur rezultoi pozitiv në një test kokaine.

Më pas, në vitin 2018, sipas medias amerikane Washington Post, agjentët federalë nisën një hetim ndaj tij, të cilin e bazuan kryesisht në dokumentacion sa i përket biznesve jashtë vendit dhe çështjeve të konsultimit, për të cilat ai paguhej.

Më pas, gjithçka u përqendrua në aspektin e taksave, ku pretendimi ishte ai se Hunter kishte bërë shkelje në fshehjen e të ardhurave reale.

Duke i shtuar gjithsesi edhe një akuzë për blerje të rreme armësh (një krim shumë i rrallë në SHBA), gjithçka mund të koklavitet edhe më tej për Hunter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore