Lajme

Hungaria bllokon pjesëmarrjen e Ukrainës në ministerialin e NATO-s


Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës konfirmoi se pjesëmarrja e plotë e Ministrit të Punëve të Jashtme Dmytro Kuleba në takimin zyrtar të kryediplomatëve të vendeve të NATO-s në Bukuresht u bllokua me kërkesë të Hungarisë.

Në datat 29-30 nëntor, ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Aleancës do të zhvillojnë një tjetër takim në kryeqytetin e Rumanisë.

Pritet që aty të diskutohet për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Londinezja “Financial Times” ishte e para që raportoi se Hungaria kundërshtoi pjesëmarrjen e kreut të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, në seancën zyrtare, ndaj ministri ukrainas u detyrua të takohet me kolegët e tij në një darkë të veçantë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës konfirmoi për agjencitë ukrainase se Kuleba do të zhvillojë negociata me ministrat e NATO-s në kuadër të një takimi të veçantë të organizuar posaçërisht nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

“Siç e dini, Hungaria ka bllokuar mbledhjet e Komisionit Ukrainë-NATO mbi nivelin e ambasadorëve që nga viti 2017. Për të kapërcyer zyrtarisht veton hungareze, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg po organizon një takim të veçantë të ministrave të jashtëm të NATO-s dhe Ukrainë. Në këtë takim, Dmytro Kuleba dhe kolegët e tij të huaj do të diskutojnë ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe restaurimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Përfaqësuesi i MPJ-së ukrainase shtoi se gjatë vizitës në Bukuresht, ministri do të zhvillojë edhe një sërë takimesh dypalëshe.

Vlen të theksohet se në javët e para të pushtimit rus të Ukrainës, Hungaria pezulloi veton dhe Dmytro Kuleba u ftua dhe mori pjesë në takimet zyrtare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov gjithashtu mori pjesë në takimet e NATO-s pavarësisht nga vetoja hungareze.

Në fillim të marsit, Ukraina iu bashkua qendrës kibernetike të NATO-s, e cila ishte bllokuar edhe më parë nga Hungaria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore