Libra

“Humori në kohën e Stalinit”


Stalinizmi. Kjo fjalë na sjellë ndërmend shumë gjëra, por asnjëra prej tyre nuk na bën të qeshim.

Stalinizmi tanimë është sinonim i brutalitetit dhe kontrollit të rreptë shtetëror që nuk linte as edhe hapësirën me të vogël për disponim të mirë apo mospajtim.

Por megjithatë ditarë të shumtë, edhe dëshmi në arkiva të shtetit zbulojnë se njerëzit vazhdonin të talleshin edhe me jetërat e tmerrshme të tyre, të detyruara, që i jetonin nën hijen e Gulag-ut.

Në 1980-at, shakatë politike sovjetike ishin gjithandej, saqë edhe presidenti i ShBA-së, Ronald Raegan, i koleksiononte dhe vazhdimisht i ritregonte.

Por 50 vjet para ksaj, nën regjimin paranojak dhe brutal të Stalinit, përse njerëzit e zakonshëm në Bashkimin Sovjetik talleshin me udhëheqësit dhe sistemin politik të tyre, kur rreziku ishte aq i madh nga NKVD (sigurimi shtetëror), që ti ndiqnin e gjurmonin edhe në apartmentet e tyre dhe t’i gykonin fatalisht?

Tani e dimë, se jo vetëm një njeri i fshehur në kuzhinën e tij, por edhe në tramvaje, të rrethuar nga të panjohur, dhe ndoshta edhe më guximisht, nëpër fabrika, aty ku urdhëroheshin të gjithë të tregonin devotshmëri absolute ndaj kauzës Sovjetike, njerëzit krisnin shaka që denigronin regjimin por edhe vetë Stalinin.

Boris Orman, i cili punonte në një furrë na jep shembullin më të mirë. Në mës të vitit 1937, kur shakullina e spastrimeve të Stalinit ishte në rritje enorme, Ormani ndau një shaka [anektod] me një koleg në kafiteri:

Stalini ishte duke notuar, por ai nisi të fundosej. Një fshatar i cili po kalonte andej kërceu në ujë dhe e nxori jashtë. Stalini e pyeti se çka do të dëshironte si shpërblim. Kur ai e pa se kënd e kishte shpëtuar, fshatari ofshau: ‘Asgjë! Vetëm të lutem mos i thuaj kujt që të kam shpëtuar!’

Një shaka e tillë, siç edhe i ndodhi Ormanit, dënohej me më shumë se 10 vjet në kamp pune të detyrueshme, ku të burgosurit punonin deri në vdekje.

Paradoksalisht, shtypja e madhe e regjimit vetëm sa e shtonte edhe më shumë nevojën për të bërë këso shakash, dhe e lehtësonte tensionin e madh të realitetit të ashpër dhe të pandryshueshëm.

Edhe në orët më dëshpruese, siç e kujtonte edhe thoshte lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev: “Shakatë gjithmonë na kanë shpëtuar.”

Por, megjithë masat drakoniane, marrëdhënja e regjimit me humorin ishte shumë më e komplikuar se sa që ne i supozojmë prej rrëfimeve ikonike të cilat i kemi brendësuar nga novela ‘1984’ e George Orwell dhe ditarit të Aleksandr Solzhenitsyn “The Gulag Archipelago”.

Bollshevikët ishin jashtëzakonisht dyshues ndaj humorit politik, pasi që ata edhe vetë e dinin se ajo ishte mjet i mprehtë dhe e kishin përdorur në luftën e tyre revolucionare për ta rrënuar regjimin carist, para marrjes dramatike të pushtetit në 1917 nga ana e tyre.

Pasi kishin konsoliduar pushtetin e tyre, ata kishin marrur vendim që humori do të përdorej vetëm për të legjitimuar regjimin e ri.

Gazetat satirike si ajo ‘Krokodil’ lëshonin sulme satirike ndaj armiqve të tyre brenda dhe jashtë vendit. Vetëm nëse i shërbente qëllimit të revolucionit ata e konsideronin humorin të pranueshëm dhe të dobishëm.

Kongresi i Shkrimtarve Sovjetik thoshte: “Qëllimi i komedisë sovjetike është që të “vrasë” armiqt me të qeshur, dhe besnikët t’i “korigjojë” me të qeshur.

Sidoqoftë, edhe pse padyshim që shumë njerëz pëlqyen këto publikime të sanksionuara nga shteti, humori kurrë nuk mund të kontrollohet nga lart.

Në miqësitë e ngushta, të ujitura me pak vodkë, ishte e pamundur të rezistohej e të mos përqesheshin prodhimet stratosferike, korrupsioni gjithpërfshirës, dhe kontradiktat e mëdha në mes të premtimeve të ndritura e të shumëngjyrshme të regjimit me realitetin bardh e zi dhe dëshpërues e të përditshëm.

Ta marrim si shembull humorin e zi të Mikhail Fedotov:

Një fshatar shkon të vizitojë liderin bolshevik Kalinin në Moskë dhe ta pyes se pse ky ritëm i modernizimit është kaq i paepur. Kalini shikon nga dritarja dhe i thotë: shiko, tani kemi dhjetëra tramvaje, pas pesë vitesh do të kemi qindra. Fshatari kthehet në fermë, dhe fermerët e tjerë mblidhen rreth tij që të dëgjojnë se çfarë ka mësuar nga vajtja në Moskë. Ai shikon rrotull, e sheh një varrezë dhe bën me gisht andej, dhe ju thotë: I shihni ata dhjetëra varre? Pas pesë vitesh, do të jenë mijëra!

Një shaka e tillë i lehtësonte ndjeshmërisht ata dhe frikën e tyre për përndekje duke i bërë të qeshin (për një kohë të shkurtë), i ndihmonte ti harronin barrat e jetëve të tyre.

Por edhe pse i ndihmonte njerëzit të kalonin kohën, shakatë u bënë çdo ditë e më të rrezikshme sa më shumë qê rritej paranoja e regjimit gjatë viteve të 30-ta.

Nën kërcënimin e luftës në Evropë, frika nga konspiracitë dhe sabotazhi industrial ishte tmerrësisht i madh në Bashkimin Sovjetik.

Si rrjedhojë, çfarëdo shakaje që kritikonte regjimin sovjetik shumë shpejtë nisi të shpallej ‘tradhëti’. Që nga vitet e 30-ta regjimi nisi të sheh humorin si helm toksik potencial që mund të depërtonte në arterjet e gjithë vendit.

Sipas një direktive të lëshuar në Mars të vitit 1935, tregimi i shakave politike do të konsiderohej barabartë me krimin e zbulimit të sekreteve shtetërore; aq e rrezikshme dhe ngjitëse, sa që në fakt, nuk citoheshin nga frika as në dokumente të gjykatave.

Vetëm appartchik-ët më besnikë i dinin përmbajtjet e këtyre krimeve të mendimit, dhe shakaxhinjtë shpesh edhe përndiqeshin edhe pa u shkruar fjalët e tyre në aktakuza.

Përkthyer dhe përshtatur nga Albanian Post prej eseut origjinal të Jonathan Waterlow, “The Jokes Always Saved Us: humour in the times of Stalin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore