Lajme

Hulumtimi i AP-së, Mirena kërkon që opozita ta ftojë në interpelancë Ministrin Aliu


Gazetari Ilir Mirena

Gazetari Ilir Mirena, ka kërkuar nga opozita që ta ftojë Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në interpelancë, pas raportimit të Albanian Post ku shpërfaqet se si me një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Aliu bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

“Shans i mirë që opozita me e thirr në interpelancë [Liburn Aliun], se kur e patën thirrur për tenderët një burimorë u thojke opozitës ‘s’di për çka m’keni thirr’…”, shkroi Mirena në Facebook.

Përmes këtij rasti, sipas gazetarit Mirena, ministri Aliu “e ka mundësinë me e ditë për çfarë e kanë thirrur”.

Çka raportoi AP?

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore