Bota

Hulumtim/ Rritje e problemeve mendore te personat me aftësi të kufizuara


Pothuajse dy të tretat e personave me aftësi të kufizuara ndiejnë vetmi kronike gjatë pandemisë, me një rezultat prej 70%, sipas hulumtimit të fundit nga organizata britanike humanitare Sense.

Të dhënat ngrenë frikën e një krize në shëndetin mendor te më shumë se 14 milionë njerëz me aftësi të kufizuara vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga 1 mijë e 11 të anketuar midis datës 20 dhe 22 janar të këtij viti, 37% thanë se ndiheshin vazhdimisht të vetmuar kohë përpara fillimit të pandemisë. Në mesin e të rinjve midis moshës 16 dhe 24 vjeç, rezultati ishte 54%.

Gati dy të tretat, ose 61% persona me aftësi të kufizuara thanë se kishin qenë të vetmuar gjatë periudhës së izolimit. Ata deklaruan se ndiheshin “vazhdimisht” ose “shumë shpesh” të vetmuar.

Ndjenja e vetmisë zgjat për një kohë shumë të gjatë

Sense paralajmëron se ndjenja e vetmisë kronike te njerëzit me aftësi të kufizuara ka “zgjatur për një kohë shumë të gjatë” dhe se njerëzit vuajnë nga “një ndjenjë e vazhdueshme e vetmisë, ndarjes nga të tjerët dhe paaftësisë për t’u lidhur me të tjerët në një nivel më të thellë”.

Christine Punt, 70 vjeç, nga Watford, Hertfordshire, është një person i shurdhër, i cili është kujdesur që të mos preket nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

Meqenëse kujdesi i zakonshëm shëndetësor ka qenë në një masë më të vogël se më parë, Christine varet nga burri i saj George.

Sipas saj, kjo ka shkaktuar një efekt shumë negativ në marrëdhënien e tyre, gjë që e ka bërë të ndihet e irrituar dhe e izoluar.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, ndihem jashtëzakonisht e izoluar… kalova javë në shtrat”, tha Punt.

“Gjatë pandemisë, u bëra edhe më e vetëdijshme për paaftësinë time, sepse nuk mund të mbështetesha më në mënyrën e zakonshme të kujdesit”.

Më pak se një orë, ndërveprim me një person tjetër

Studimi zbuloi se një e treta e personave me aftësi të kufizuara kishin më pak se një orë ndërveprim me dikë tjetër gjatë pandemisë.

Rreth 70% e të anketuarve thanë se izolimi social kishte një ndikim të fortë në shëndetin mendor dhe mirëqenien e përgjithshme. 40% thanë se ndikoi edhe në shëndetin e tyre fizik.

“Gjatë pandemisë, nevojat e personave me aftësi të kufizuara thjesht u anashkaluan. Kjo i bëri njerëzit të ndihen të harruar. Qeveria duhet të njohë ndikimin serioz të pandemisë në jetët e kësaj kategorie. Duhet përmirësuar mbështetja dhe kujdesi ndaj tyre, në mënyrë që të mos ndihen të izoluar dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë”, tha Richard Kramer, CEO i Sense.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore