Pajisje

Huawei përparon me zhvillimin e procesorit në telefonin inteligjent më të fundit


Huawei po imiton Apple-in në zhvillimin e procesorëve që fuqizojnë telefonin e vet inteligjent më të fundit.

Çka shënon një përparim që do të ndihmojë kompaninë kineze të zvogëlojë varësinë e saj në teknologjinë e huaj teksa përballet me sanksionet e SHBA-ve.

Analiza e çipit kryesor brenda Mate 60 Pro, i cili doli në treg në fund të muajit të kaluar dhe u shit menjëherë, zbulon se Huawei i është bashkuar grupit elitar të kompanive Big Tech të afta për të dizajnuar gjysmëpërçuesit e tyre.

Katër nga tetë njësitë qendrore të përpunimit në “sistemin në një çip” (SoC) të Mate 60 Pro mbështeten thjesht në një dizajn nga Arm, kompania britanike arkitektura e çipave të së cilës fuqizon 99 për qind të telefonave inteligjentë.

Katër CPU-të e tjera janë të bazuara në Arm, por kanë dizajnet dhe përshtatjet e Huawei-t, sipas tre personave të njohur me zhvillimin e Mate dhe Geekerwan, një kompani kineze e testimit të teknologjisë.

Huawei ka luftuar që nga viti 2019 nën sanksionet që synojnë ndërprerjen e aksesit në çipa, pajisje dhe software të avancuar nga SHBA-të për prodhimin e telefonave inteligjentë 5G, duke e detyruar atë të përqendrohet në shitjen e pajisjeve 4G dhe të fokusohet në tregun vendas.

Teksa Huawei është ende duke licencuar modelet bazë të Armit, biznesi i tij i dizajnit të çipave HiSilicon është përmirësuar në to për të ndërtuar bërthamat e veta të procesorit në Kirin 9000S SoC të Mate.

Pritet që kjo t’i japë fleksibilitetin e nevojshëm për të prodhuar telefona inteligjentë të nivelit të lartë, pavarësisht kufizimeve të kontrolleve të eksporteve të SHBA-ve.

Po ashtu Kirin 9000S përmban një njësi përpunimi grafik dhe njësi të përpunimit nervor të zhvilluar nga HiSilicon. Paraardhësi i tij, Kirin 9000 SoC, ishte mbështetur plotësisht në Arm për CPU-të dhe GPU-në e tij.

Zhvillimet tregojnë se Huawei po ndjek një strategji të ngjashme me nismën e Apple silicon.

Për më shumë se një dekadë, Apple ka përmirësuar arkitekturën bazë të Arm për t’i dhënë iPhone-ve dhe Mac-ve të saj një avantazh konkurrues në performancë.

Kompleksiteti, kostot e mëdha dhe burimet e pakta inxhinierike të përfshira në zhvillimin e gjysmëpërçuesve nënkuptojnë se vetëm pak kompani janë në gjendje të marrin një qasje të tillë.

Përfitimet e tjera për Huawei-n përfshijnë uljen e kostove të licencimit të patentave dhe mundësinë për të diferencuar produktet e saj nga rivalët.

Huawei ishte në gjendje të prodhonte procesorët e vet të telefonit duke përshtatur dizajnet e bërthamës së CPU-së që u përdorën fillimisht në serverët e qendrës së të dhënave të saj, sipas njerëzve me njohuri të drejtpërdrejta për zhvillimin e tij.

Strategjia i ngjan lëvizjeve të Apple-it për t’i kthyer procesorët e saj iPhone në çipa të aftë për të fuqizuar kompjuterët e saj Mac — por në të kundërt.

Megjithatë, kompania ende përballet me sfidën e prodhimit të çipave të fundit me pajisjet më të fundit, sepse SHBA-të kufizojnë furnizuesit e Huawei-t.

Mate 60 Pro është vlerësuar si dëshmon aftësinë e Huawei-t për të inovuar për të kapërcyer sanksionet amerikane, megjithëse analistët thonë se performanca e telefonit tregon se si përparimi i tij është penguar nga kontrollet e eksportit.

Ekipe të ndryshme testimi kanë zbuluar se aftësitë gjysmëpërçuese të Huawei-t janë një deri në dy vjet prapa atyre të çipave të prodhuar nga Qualcomm i SHBA-ve, prodhuesi kryesor i çipave celularë.

Gjithashtu konsumojnë më shumë energji sesa konkurrentët e tij, sipas matjeve, dhe mund të shkaktojnë ngrohjen e telefonit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore