Pajisje

Huawei “mbijeton” kundrejt sanksioneve të SHBA-ve


Në zyrën qendrore të Huawei-t muajin e kaluar, stafi u mblodh për të festuar zhvillimin e brendshëm të software-it për të zëvendësuar një sistem amerikan që, prej kontrolleve të eksportit të Washington-it, kompania nuk ishte më në gjendje ta blinte.

“Tre vjet më parë, ne u shkëputëm nga sistemi i vjetër ERP”, ka treguar Tao Jingwen, një anëtar bordi i Huawei-t dhe president i departamentit të cilësisë, procesit të biznesit dhe menaxhimit të IT-së.

“Sot ne jemi krenarë të njoftojmë se kemi thyer atë bllokadë. Ne kemi mbijetuar!”, theksoi ai.

Tao po fliste në kampusin Huawei në qytetin jugor të Dongguan, në një skenë të zbukuruar me pankarta që shpallnin “heronjtë që luftonin për të kaluar lumin Dadu”, referencë për një marshim rraskapitës nga ushtria komuniste fitimtare në luftën civile të Kinës.

Kjo deklaratë e fundit e progresit ofron një vështrim se si Huawei, i ndihmuar nga grantet qeveritare dhe financimi nga Pekini, është përpjekur të udhëheqë rrugën për kompanitë kineze të etura për të reduktuar varësinë e tyre në teknologjinë perëndimore teksa tensionet gjeopolitike rriten.

Washington-i, që nga viti 2019 – i ka ndaluar furnitorët amerikanë që t’i shesin Huawei-t pa licenca eksporti dhe e ka penguar kompaninë të përdorë çdo teknologji amerikane për dizajnimin dhe prodhimin e çipave.

Shitjet, fitimi dhe pjesa e tregut të Huawei-t ranë pasi u futën kontrollet.

Biznesi i telefonave celularë, dikur më i madhi në botë për nga njësitë e shitjeve, është shkatërruar.

Mungesa e aksesit në çipa do të thoshte se ajo u detyrua të ndalonte prodhimin e telefonave 5G.

Në vitin 2021, të ardhurat e saj ranë me një të tretën, megjithëse fitimi u rrit nga shitja e Honor, një markë smartphone-i.

Vitin e kaluar, kompania tha se ishte kthyer në “biznes si zakonisht”, duke parashikuar një kthim në rritjen vjetore të të ardhurave këtë vit.

Në qendër të strategjisë Huawei ka qenë dëshira për të zëvendësuar teknologjitë e vendosura perëndimore me produkte vendore, një synim afatgjatë i Pekinit që ka rezultuar i kushtueshëm dhe i vështirë.

Me këtë në mendje, Kina i dha grante qeveritare Huawei-t me vlerë 948 milionë dollarë në vitin 2022, dyfishi i shumës nga viti i kaluar.

Sipas raportit të saj vjetor, kompania mori gjithashtu fonde të kushtëzuara të lidhura me projekte kërkimore specifike sa trefishi i asaj të vitit 2021.

Në një deklaratë, Huawei tha se “mbështetja e qeverisë për programet e kërkimit të teknologjisë së lartë është e barabartë për kursin në shumicën e vendeve”.

“Huawei nuk ndryshon nga kompanitë e tjera në industri që aplikojnë për këtë lloj mbështetjeje. Për Huawei-n, kjo lloj mbështetjeje përbën një pjesë jashtëzakonisht të vogël të shpenzimeve totale për Kërkim dhe Zhvillim”.

Po ashtu kompania ka deklaruar se ka shpenzuar një të katërtën e të ardhurave të saj vitin e kaluar për kërkime dhe zhvillim.

Ndërkaq, kompania ka pretenduar disa suksese.

Në shkurt, Ren Zhengfei, themeluesi i Huawei-t, tha se kompania kishte gjetur alternativa vendase për më shumë se 13 mijë komponentë dhe kishte ridizajnuar më shumë se katër mijë borde qarku pas vendosjes së sanksioneve të SHBA-ve.

Më sfiduese është përpjekja për të përsëritur mjetet e sofistikuara të prodhimit të çipave, si litografia, një treg i dominuar globalisht nga kompania holandeze ASML.

Huawei po punon me Shanghai Micro Electronics Equipment. SMEE, mbi të cilën SHBA vendosi sanksione vitin e kaluar, është përpjekur për më shumë se një dekadë të prodhojë litografi të brendshme, por me sukses të kufizuar.

Në dhjetor, Huawei paraqiti një patentë në një nga aspektet më të avancuara të teknologjisë së litografisë, sipas zyrës së patentave të Kinës.

Një analist me bazë në Kinë, ka thënë se “përbërësit e hardware-it që dikur vinin nga kompanitë e huaja, si teknologjia e lidhur me çipat, mbeten ende një element thelbësor në pothuajse të gjitha bizneset e kompanive, kështu që Huawei duhet të investojë në zhvillimin e alternativave harduerike në të gjitha frontet”.

Në përgjithësi, zhvillimi i zëvendësimeve të teknologjisë perëndimore nga Huawei do të thotë se ofron një gamë më të gjerë produktesh, të cilat duhet ta ndihmojnë atë të aksesojë atë që grupi kërkimor IDC thotë se është një treg prej 2.38 trilionë dollarësh në Kinë për produktet dhe shërbimet e transformimit digjital nga viti 2022 deri në 2026-n.

Gjatë dy viteve të fundit, qeveritë lokale në më shumë se 20 qytete në Kinë kanë ndërtuar qendra informatike me inteligjencë artificiale dhe kryesisht kanë zgjedhur të vendosin çipa nga kompanitë vendase, me 79 për qind të tyre duke përdorur çipat e inteligjencës artificiale të Huawei-t.

Por përveç çipave, kompania ka rritur shpenzimet e kërkimit dhe zhvillimit në fusha të tilla si software-i.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore