“Amerika ka sjellë Hill-in ambasador në Serbi që ta përfundojë çështjen me Kosovën”

SHFLETO

Christopher Hill

 

Armat Matoshi
12.02.2023 9:51
Loading Icons...

Një ndër çështjet kryesore të të gjithë diplomatëve amerikanë në Beograd që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – bazuar në njohjen reciproke mes dy shteteve.

Ambasadori aktual në Beograd, Christopher Hill, është shumë më aktiv se paraardhësit e tij dhe sipas një analize të rrjetit ballkanik të lajmeve N1, diplomati veteran duket se është dërguar ekskluzivisht për të përfunduar çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pozicioni i ambasadorit në administratën aktuale është shumë më i fortë se kurrë më parë. Ambasadorët tani janë në gjendje t’i japin njëfarë vule personale politikës që SHBA-ja po udhëheq në rajon, në mënyrë që ata vetë të propozojnë disa masa që më pas do të zbatohen nga Departamenti i Shtetit”, tha Dragan Biseniç, njohës i i politikës së jashtme.

Hill ka shërbyer si emisar special gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat e Rambujesë në 1999. Ai ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë arsye, analisti serb beson se kthimi i Hill-it në rajon përkon me fillimin e luftës në Ukrainë – një ngjarje me rëndësi gjeopolitike, e cila sigurisht ka ndikim si në llojin, ashtu edhe në intensitetin dhe përshpejtimin e presioneve dhe stimujve si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë.

Një nga temat kryesore të ambasadorëve amerikanë në Serbi, deri në vitin 2012, ishte bashkëpunimi i Serbisë me Tribunalin e Hagës. Dy të tjerat – përmirësimi i marrëdhënieve pas bombardimeve të NATO-s dhe çështja e Kosovës – mbeten edhe sot në agjendën amerikane.

Ndërkaq, edhe homologu i Hill-it në Prishtinë, Jeff Hovenier, është shumë aktiv sa i përket përpjekjeve për të gjetur rrugën për një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit në frymën e kompromisit. Ai luajti rol të rëndësishëm edhe në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.