Kosova

Arrijnë në Kosovë edhe 38 mijë e 400 doza të vaksinës “AstraZeneca”


Qytetarët duke pritur për t’u vaksinuar

Ka arritur kontingjenti prej 38,400 dozash të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur Dafina Zuna, zyrtare e komunikimit të UNICEF-it.

Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF në Kosovë, falënderoi partnerët dhe donatorët e COVAX për mbështetjen e tyre kritike për të siguruar vaksinat për të gjithë.

“Dorëzimi i këtyre 34.800 dozave shtesë është një hap tjetër në luftën kundër COVID-19. UNICEF është i përkushtuar të vazhdojë të mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë në zbatimin e planit kombëtar të vaksinimit dhe vendosjes. Së bashku ne mund të krijojmë një normale të sigurt, të re për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, tha ai.

Këto vaksina po shpërndahen nga UNICEF. përmes institutit COVAX, i cili po synon të sigurojë shpërndarje të barabartë të vaksinave COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi shtetet e QUINT-it dhe organizatat e tjera për ndihmën e vazhdueshme në ballafaqimin e Kosovës me pandeminë COVID-19.

Përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të organizatave ndërkombëtare në Kosovë premtuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në këtë përpjekje të përbashkët.

Me kontingjentin e pranuar këtë të mërkurë numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62,400.

Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, do të mund të përfitojë nga COVAX, 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës, Ministria e Shëndetësisë ka zbatuar planin kombëtar të vendosjes dhe vaksinimit ku punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit kanë përparësi si grupet e para që vaksinohen.

Me mbërritjen e grupit të dytë të sotëm, shtrirja e planit kombëtar të vendosjes dhe vaksinimit do të vazhdojë në grupet me përparësi siç janë punëtorët e tjerë shëndetësorë, njerëzit me sëmundje kronike dhe grupet e tjera me përparësi siç përshkruhen në plan.

38,400 doza të vaksinave AstraZeneca – Oxford kundër COVID-19 që mbërritën sot, janë pjesë e ndarjes së shkurtit deri në maj 2021 të 100,800 dozave totale AZ. Përveç kësaj, 100,620 doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në Kosovë, deri në fund të këtij muaji.

Ndërkohë rend i gjatë i pritjes është shkaktuar në sallën “1 Tetori” në ditën kur është paraparë të nisë procesi i vaksinimit kundër COVID-19 të grupit të qytetarëve mbi 65-vjeç.

Sipas njoftimit të së martës nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet do të kenë personat e regjistruar në “e-Kosova”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore