Kosova

Osmani, Vuçiç-it: Jam me Vasfijen, ishte vetëm 16 vjeçare kur u dhunua dy herë nga forcat policore të Millosheviçit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e shoqëruar nga e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se kjo e fundit ka qenë vetëm 16 vjeçare kur ishte dhunuar nga forcat paramilitare serbe.

“Sot jam bashkë me Vasifije Krasniqin-Goodman. Ajo ka qenë vetëm 16 vjeçare kur është dhunuar, jo një herë, por dy herë nga forcat policore të Millosheviçit. Ushtria serbe ka zgjedhur një prej mjeteve më të këqija të luftës, që është dhuna. Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh i kanë thënë asaj, pasi i ka lutur që ta vrasin”, tha Osmani.

“Vasfija nuk ka ngecur, por ka vazhduar me jetën e saj për të ngritur vetëdijesimin për faza globale për dhunimet seksuale në lufta. Sot ajo punon ngushtë me partnerë në Ukrainë, në lindjen e mesme dhe në vendet në kontinentin Afrikan duke ndarë përvojën e saj për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës”, shtoi e para e shtetit të Kosovës.

Ajo ka kërkuar nga shteti serb që ata që kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovës të arrestohen, duke theksuar se “që t’i mbajmë llogaridhënës ata kryerës të veprave”.

“Mbi 1.600 individë në Kosovë ende janë të zhdukur e të varrosur në varrezat masive në Serbi. Kërkojmë kthimin dhe vazhdojmë të punojmë për të zgjedhur rrugën e drejtësisë, e kjo rrugë është për të forcuar përkushtimin tonë që krimet e tilla të mos përsëriten më asnjëherë”.

Osmani: Autorët e sulmit terrorist në Banjë sillen lirshëm në Serbi, marrin kontrata të mëdha nga Vuçiçi

Gjatë fjalimit të saj, Osmani ka potencuar se akuzat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për “dëbimin e serbëve” nga Kosova janë të pavërteta.

“Akuzat e Serbisë për persekutim të serbëve janë të rrejshme dhe të pa baza. Serbëve të Kosovës iu mbrohen të drejtat e tyre. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sigurojnë që gjuha serbe njihet dhe përdoret si gjuhë zyrtare në gjithë Kosovën. Nuk ka pasur asnjë sulm me ndonjë motiv etnik”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se shteti serb është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, por autorët e sulmit janë të lirë në Beograd.

“Edhe pas 25 viteve kur NATO përfundoj fushatën gjenocidale të Millosheviçit, përpjekjet për de-stabilizim nga Serbia janë në vazhdim e sipër dhe aktive. Fillimisht me kidnapimin e tre policëve, sulmet ndaj gazetarëve, sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it të cilët kanë pësuar lëndime të rënda dhe sulmit terrorist që ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar. Autorët e sulmit terrorist sillen lirshëm në Serbi dhe vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga Vuçiçi”.

“Serbia mblodhi prani të paprecedentë ushtarake pranë kufirit tonë në fund të shtatorit. Ditë më parë testuan dronët iranianë në kufi. Kjo është mesazhi që u japin fqinjëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore