Lajme

Kompania Mabetex: Shqiptarët që punojnë në Kazakistan janë të sigurtë


“Punëtorët e kompanisë Mabetex Group në Kazakistan janë të sigurtë”.

Kështu kanë njoftuar nga kjo kompani përmes një postimi për media pas protestave masive që kanë nisur në Kazakistan tash e katër ditë, për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm.

Mabetex Group ka njoftuar të gjithë familjarët dhe të afërmit e punëtorëve të që punojnë në Kazakistan, se të gjithë janë mirë dhe gjenden të sigurt në ambientet e tyre ku jetojnë, si në konvikte, apartamente dhe hotele.

“Duke pasur parasysh ngjarjet e ditëve të fundit në Kazakistan dhe problemet e përkohshme me qasje në internet në vend, informojmë të gjithë familjaret dhe të afërmit e punëtorëve të Mabetex Group nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që punojnë ne Kazakistan, që të gjithë janë mirë dhe gjenden të sigurt në ambientet e tyre ku jetojnë, si në konvikte, apartamente dhe hotel”, thuhet në komunikatë.

“Të gjithë janë në vazhdimësi të informuar nga udhëheqësit e tyre lidhur me situatën”.

“Presidenti i Grupit Mabetex, Afrim Pacolli, është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kompanisë atje dhe konfirmon që situata tashme është më e qete dhe nuk ka vend për panik dhe shqetësim”.

Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë që vendi ka parë që nga fitimi i pavarësisë tri dekada më parë.

Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.

Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore