Kosova

Ka një afat prej dy muajsh për të gjetur një zgjidhje për targat, thotë Lajçak


Miroslav Lajçak

Për të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ngërçi politik ndërmjet dy vendeve në çështjen e targave pritet të zgjidhet për një afat prej dy muajsh.

Pasi sipas tij BE-ja për këtë çështje ka dhënë disa ide konkrete palëve, të cilët duhet të zgjedhin njërin nga modalitetet për të dal nga ky ngërç.

“Vendimi i qeverisë në Kosovës është që procesi të përfundojë deri në fund të tetorit. Pra kemi dy muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Tashmë jemi në atë proces. Ne ishim në telashe për dokumentet hyrëse-dalëse. Për targat kemi të paktën dy muaj kohë për t’i zgjidhur, besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Lajçak për Euronews, edicioni në gjuhën serbe.

Lajçak, është pyetur nëse kjo periudhë dymujore është konfirmuar edhe nga pala kosovare dhe përgjigja e tij ka qenë: “Po, sigurisht”.

“Regjistrimi fillon më 1 shtator dhe duhet të zgjasë dy muaj. Nuk pres ndonjë dramë më 1 shtator. Nuk ka arsye për këtë, ne kemi atë periudhë dy mujore për të gjetur një zgjidhje, siç e kemi gjetur në lidhje me te kartat e identitetit”, ka thënë më tej Lajçak duke shtuar se duhet të jetë optimist.

Ndryshe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës në një konferencë për media një javë më parë pati bërë të ditur se diplomati sllovak ka propozuar rikthimin në qarkullim të targave neutral “KS “për veturat brenda territorit të Kosovës, ashtu siç është propozuar nga pala serbe si alternativ për të dalë nga situata e krijuar nga vendimi i Qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato “RKS”.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme. 1 shtatori jo vetëm për dëshirën, por edhe bindjen time do të jetë ditë normale”, shtoi Kurti.

Ndryshe, Josep Borrell, të shtunën e 27 gushtit pati lajmëruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për sa i përket reciprocitetit për kartat e identitetit.

Në fakt marrëveshja e arritur më 27 gusht nuk ishte një marrëveshje e re.

Thjesht ishte një zotim i të dyja palëve se tash e tutje do të respektohen marrëveshjet e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëviznin nga njëri shtet në tjetrin vetëm me kartat e identitetit.

Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.

Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.

Marrëveshja tash është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta impelemntojë fare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore