Qeveria e Kosovës në diskutim me autoritetet në SHBA për strehimin e afganëve – kërkohet t’iu verifikohet e kaluara

SHFLETO

Qeveria e Kosoves

 

Valon Rashiti
15.08.2021 13:26
Loading Icons...

Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për Albanian Post se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme”, tha Dalipi.

Megjithatë, ai ka shtuar se “ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes”.

“SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, pohoi Dalipi.

Ndërkaq për Butrint Berishën nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, strehimi i afganëve do të ishte veprim i drejtë moralisht dhe politikisht.

“Moralisht do të ishte veprim i drejtë duke marrë për bazën historinë e shtetit dhe popullit të Kosovë që është ngushtë e lidhur me eksodin. Në momente të vështira shumë shtete kanë hapur dyert për qytetarët e ikur nga Kosova dhe është e pritshme që shteti i Kosovës i cili tash është në anën tjetër të spektrit, të tregojë solidaritet”, potencoi Berisha për AP.

Berisha, theksoi se marrja e Afganistanit nga Talebanët do të prodhojë tragjedi për shumë qytetarë afganë, duke përfshirë pjesën e administratës publike dhe ushtrisë.

“Politikisht, qeveria e rënë afgane ka qenë pjesë e aleancës së NATO-s dhe ka punuar ngushtë me shtetet e perëndimit, veçanërisht SHBA-të. Gjithashtu, Afganistani është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe e ka përkrahur edhe për anëtarësime. Kësisoj, ky veprim do të ishte në linjë dhe do të afirmonte orientimin e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës”.

Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, mendon se strehimi i afganëve pa ia verifikuar të kaluarën, mund ta jetë e dëmshme për sigurinë e Kosovës.

“Kush i verifikon këta persona, pasi do qëndrojnë në Kosovë e Shqipëri deri t’ju bëhet verifikimi në një interval kohor 12/18 muaj, për t’i lejuar të hynë në territorin e SHBA-së”, ka thënë Shala për AP.

Sipas tij, Qeveria duhet që të kërkojë nga Departamenti Amerikan i Shtetit një buxhet në formën e mbështetjes, “meqë ne do të luajmë rolin e “zonës neutrale të sigurisë”.

Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar se Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, ka nënvizuar Haradinaj.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht SHBA-së nëse kjo e fundit kërkon të strehohen qytetarë afganë që kanë ikur nga kriza atje.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht. Por bëj me dije se në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani”, thuhet në shkrimin e Ramës.