Kosova

Hisen Berisha: Ambasadori Berishaj mu betua në kokën e Albinit se nuk ka vjedh gjë


Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për “Shpëlarja të parave”, “Shmangie nga tatimi”, “Mosraportim ose raportimi i rremë i të ardhurave” i është “betuar në kokë të kryeministrit Albin Kurtit”, deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berishës se nuk është i përfshirë në korrupsion gjatë një takimi që e zhvilluan të premten në Zagreb.

“Fundja unë nuk jam takuar veç me kushëririn e fisit e mikun tim Martin Berisha, por me ambasadorin fuqiplotë të shtetit tim. Edhe fundja, ambasadori mu betua në kokën e Albinit se nuk ka vjedh gjë, ndaj shkova që ta pijë një kafe në ambasadë”, tha Berisha në një bisedë për Albanian Post.

Por, thotë se kjo nuk ishte hera që u takua me diplomatin kosovar në Kroaci, për të cilin ka respekt për kontributin e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“E kam takuar viteve ’90 e tutje, kur u krijua këshilli politik për luftë. E aty e ka ftuar edhe vet drejtori politik i UÇK. Axha i tij, Tom Berisha, ka kontribut të veçantë në përgatitjet për luftë e liri. Ky po që bart titull evropian si profesor”, shtoi.

Megjithatë, ai zbulon se nuk është i vetmi politikan kosovar që e ka takuar në kryeqytetin kroat ambasadorin Berishaj, teksa thekson se ka edhe deputetë të tjerë të pushtetit dhe opozitës, por sipas tij, ata e kanë mbajtur të fshehur.

“Takimet ndodhin edhe kanë ndodhur, jo veç me mua por edhe shumë deputetë të opozitës e pozitës, politikanë opozitarë e qeveritarë, takohen me përfaqësuesit diplomatik të shtetit, janë takuar edhe me ambasadorin Berishaj, veçse e kanë mbajtur të fshehur. Por, kjo s’do të thotë se ndryshojnë qëndrimet”, pohoi deputeti i PDK-së.

Por, pavarësisht kësaj, ai potencon se “korrupsioni në diplomaci” mbetet temë e hapur, derisa ka shtuar se “qëndrimet e mia në raport me atë pjesë nuk ndryshojnë aspak”, por nënvizon faktin se për Berishajn që u inteveistua nga Prokuroria Speciale ende nuk ka vendim gjyqësor të plotfuqishëm për akuzat që i vihen në barrë.

“Hetimet duhet të bëhen e të ketë një vendim juridik të plotfuqishëm. Në Zagreb, Berlin, a Washington jo vetëm ambasadorët e stafi diplomatik, por edhe Albini është aktualisht Kryeministër me votat e shumicës i të gjithëve, edhe i imi. Sa do që për mua është e papranueshme politika e tij, mund të jemi kundërshtarë politik dhe e luftoj me mjete politike, por nuk do të thotë se jemi armiq, se përndryshe i kisha ndërruar mjetet e luftimit”.

Martin Berishaj u intervistua me dyshimet për tri vepra penale nga Prokuroria Speciale

Rasti i Martin Berishaj

Vitin e kaluar mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar ku ishte i përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Në artikullin e TV Planet thuhej se Martin Berishaj kishte kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe paguhej si konsulent nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd.

Më vonë, do pranohej nga vetë Berishaj se është e vërtetë që ka kompani me këtë emër dhe gjithashtu është e vërtetë se u pagua nga GEN-I dega në Beograd.

Berishaj veç marrjes së parave dhe kompanisë në Mal të Zi, ai po dyshohet se një pjesë të parave të marra në Beograd nga GEN-I i ka sjellur edhe në Kosovë.

Ato para të Berishajt dyshohet se financuan fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Ekziston po ashtu edhe një kallëzim penal për Berishajn i cili dyshohet se ka bërë evazion fiskal dhe nuk ka paguar taksa.

Ndryshe, përkundër dyshimeve për përfshirje në korrupsion, Berishaj ka mbetur i paprekur në pozitën e tij, derisa gjatë muajit mars ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore