Kosova

Escobar pas takimit me Kurtin: Do flas më shumë, por më vonë


I dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka pranuar të flas shumë për situatën në veri të Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk kam ndonjë koment, jemi pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm”, tha Escobar për RTK-në.

“Do të kem më shumë të them pak më vonë, do të kemi edhe disa takime të tjera pastaj do të diskutojmë”, shtoi ai.

Gabriel Escobar

Paraprakisht, Escobar është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, derisa Osmani ka kërkuar që barrikadat në Veri, të vendosura nga serbët të largohen dhe personat që kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe ata të EULEX-it të përballen me drejtësinë.

“Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiçi”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Osmanit.

“Ajo potencoi se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë”.

Sipas njoftimit, Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur të dielën, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokal, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë.

Osmani i ka bërë të qartë Escobarit se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.

Ndryshe, në veri të Kosovës serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudarë të Zveçanit në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Tensionet janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore