Lajme

Hoxhaj rithekson mbështetjen e tij ndaj “Open Balkan” – “Argumenti se minohet sovraniteti i Kosovës nuk qëndron”


Ish-ministri i jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj

Argumenti se pjesëmarrja e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” minon sovranitetin e vendit nuk qëndron, ka vlerësuar ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj.

Një zë më ndryshe nga politikanët sa i përket nismës rajonale të “Open Balkan”, Hoxhaj në një intervistë për “priza.al” ka thënë se Kosova duhet të bëhet pjesë e saj.

“Mbështetja ime për Ballkanin e hapur ka të bëjë me bindje të bazuara në arsyet e shumta. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e Washingtonit dhe është zotuar se do jetë pjesë e kësaj nisme që nga shtatori 2020, dhe sot është formalisht pjesë e saj, por nuk dërgon përfaqësuesit e saj!”, është shprehur Hoxhaj.

“Shtetet të cilat nuk respektojnë marrëveshjet që nënshkruajnë, nuk merren seriozisht nga partnerët dhe mendoj se e dëmtojnë shumë kredibilitetin dhe prestigjin e tyre! Sa kam qenë ministër i Jashtëm, kam bërë beteja që Kosova të jetë në çdo organizatë rajonale dhe ndaj Ballkanit të kemi qasje gjithëpërfshirëse, dhe jemi anëtarësuar në rreth 30 organizata rajonale!”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, “Ballkanin e Hapur” e sheh si grup joformal shtetesh si G7 ose G20. Andaj, thotë ai, “Frika nga disa, se kjo e minon sovranitetin e Kosovës, nuk qëndron sepse sovraniteti ynë varet nga raporti me shtetet e tjera dhe organizata, të cilat janë pasqyrimi i sovranitetit!”.

“Për më shumë, Kosova duhet të insistojë që të jetë aty me përfaqësim shtetëror dhe me simbole, sikurse çdo vend tjetër dhe duhet të kërkojë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që ato ta mbështesin Kosovën për një trajtim të barabartë!”.

“Marrë në tërësi”, elaborobon Enver Hoxhaj, “ka tri shoqëri shqiptare dhe tri ekonomi në Ballkan”.

“Në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, dhe jo një bllok homogjen shoqëror dhe ekonomik!”

“Prandaj, këtë nismë e shoh si kornizë për një bllok homogjen ekonomik dhe shoqëror, që do të bënte që Kosova dhe Shqipëria të jenë zgjatje dhe zgjerim i njëra-tjetrës dhe nëse BE nuk zgjerohet ndaj nesh, ne kemi të drejtë legjitime që, në hap me kohën, të krijojmë një kohezion të urta, një faktorizim të shqiptarëve në Ballkan!”.

Rreth refuzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u bërë pjesë e nismës rajonale, deputeti thotë se nuk sheh “argument politik apo ekonomik” për të kundërshtuar atë.

“Çfarë po pretendon z. Kurti për Ballkanin e Hapur? Nuk po shoh as vizion për politikë rajonale dhe as argument politik apo ekonomik, por më shumë populizëm i bazuar në izolim të vetimponuar dhe paranoja të bazuara në frikë të paqëndrueshme”.

“Për më shumë është një lloj ironie, kur z. Kurti sa ka qenë në opozitë, kishte një agjendë panshqiptare, kurse tash është bërë pengesë serioze e një bashkëpunimi normal ndërshqiptar dhe të një faktorizimi të tyre të ri në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore