Kosova

Hoxhaj: Kushtetuta po shkelet sipas qejfit të Qeverisë – po rrezikohen themelet e shtetit


Enver Hoxhaj

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me shkeljet e shumta të Kushtetutës nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, po rrezikohen seriozisht themelet e shtetit.

Këto komente, Hoxhaj i ka bërë në një postim në Facebook, në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës.

Fillimisht, ish-Ministri i Punëve të Jashtme citoi një thënie të ish-Perandorit të Francës, Napoleon Bonaparta, për Kushtetutën, të cilën e vendosi në kontekstin krahasimtar me Kushtetutën e Kosovës dhe qasjen e ekzekutivit aktual ndaj saj.

“‘Kushtetuta duhet të është e shkurtër dhe e turbullt’ kishte thënë Napoleon Bonaparta për kohën e tij! Kushtetuta e Republikës sonë është mjaft e gjatë dhe shumë e qartë, por sot është duke u zbatuar ose shkelur aq shumë, sipas qejfit të Qeverisë së Kosovës, me të cilët po rrezikohen seriozisht themelet e shtetësisë, interesi nacional dhe demokracia!”, shkroi Hoxhaj.

Në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, ka reaguar edhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se në tri vitet e fundit si opozitë kanë qenë të obliguar ta mbrojnë Kushtetutën nga pushteti.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Kushtetuta është simbol i unitetit, drejtësisë dhe fuqisë së demokracisë.

“Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj”.

“Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm!”, ka shkruar ai.

Krasniqi: Qeveria na obligoi ta mbrojmë Kushtetutën nga vetë ata

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore