Lajme

Hoxhaj: Kërcënimet e sigurisë së Kosovës e kanë burimin në Serbi


Në Konferencën për lidhjen e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit me mbështetje të organizatës Friedrich Ebert Stiftung, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se kërcënimet në Evropën Lindore mund të barten shpesh në Ballkan, por kërcënimet e sigurisë së Kosovës e kanë burimin në Serbi, me mbështetje gjeopolitike të Rusisë.

“Këtu dua t’i përmendi tri shqetësime që kanë të bëjnë me Kosovën dhe vet rajonin. Së pari, dhuna në veri, akti i agresionit në Banjskë dhe situata e tanishme tregojnë që Serbia ka për qëllim të shndërrojë komunat në veri të Kosovës në pikën më nervlagjike, më të tensionuar të sigurisë në Evropë, jashtë Ukrainës”, tha Hoxhaj.

“Prandaj e shoh kyçe në veri të vendit rikthimin e procesit politik me zgjedhje, me pjesëmarrje të komunitetit serb në institucionet e policisë, sundimit të ligjit dhe gjyqësisë”, shtoi.

Hoxhaj ka theksuar se tani është “një vakum institucional”, qoftë në raport të popullatës serbe me komunat në veri dhe vakum institucional të raportit të serbëve lokalë me qeverinë dhe institucionet qendrore.

“Së dyti, dialogun me Serbinë e shoh të rëndësishëm jo vetëm për normalizim të raporteve ndërshtetërore, por edhe për sigurinë rajonale, e cila mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje jo bazike, por gjithëpërfshirëse, me njohje të ndërsjellë si marrëveshje finale”.

Tutje, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka potencuar se duhet patjetër të përmbyllet shtet-ndërtimi i Kosovës dhe se pa ndodhur kjo, si parakusht bazë i sigurisë, prioriteti më i lartë i Kosovës dhe partnerëve duhet të jetë anëtarësimi në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore