Lajme

Hoxhaj: Asnjëherë s’është vendosur për një proces politik, ashtu sikurse Kurti që e pranoi Draft-Statutin e Asociacionit


Enver Hoxhaj.

Ish ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së tij të premten ku ka thënë se, “statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet ta publikojnë ndërkombëtarët”.

Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se në të kaluarën për asnjë proces s’është vendosur për procese të rëndësishme politike pa transparencë.

“Asnjëherë, as në Rambuje (1999) as në Vjenë (2005-2007) e as në Bruksel (2011-2021) nuk është vendosur për një çështje aq të rëndësishme politike pa kurrfarë procesi politik, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa legjitimitet demokratik”.

“Sikurse që Albin Kurti e ka pranuar dhe po e mbanë fshehtë Statutin e Asociacionit, duke na thënë se jo ai, si Kryeministër i Kosovës, por ndërkombëtarët duhet ta bëjnë publik atë, kur çdo kush e ka pa këtë dokument në Serbi, ndërsa po mbahet fshehtë nga opinioni publik, partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën ka ritheksuar se më 26 tetor në takimin me liderët kryesorë evropianë në Bruksel ka qenë i gatshëm të nënshkruajë “paketën, jo njërin prej teksteve” që sipas tij nënkupton së pari Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe pastaj draf-statuti i Asociacionit.

Sipas Kurtit i njëjti gatishmëri nuk është ofruar nga pala serbe, duke u lëshuar një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vulosej normalizimi.

“Me këtë rast, më lejoni të theksoj që nëse Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Kurti.

Refuzimi i nënshkrimit nga ana e Serbisë, sipas Kurtit, dëshmon që Beogradi zyrtar nuk dëshiron Asociacionin për serbët e Kosovës, por kundër Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore