Lajme

Hoxha: Për temën “Obligimet tona ndaj atdheut” desha të flasë edhe me veshjen time


Hoxha me veshje kombëtare duke ligjëruar para xhematit

Falja e namazit të Bajramit në Kosovë u bë si zakonisht në të gjitha xhamitë anë e mbanë vendit, në ora 05:53 të mëngjesit.

Por në xhaminë e fshatit Krajkovë të Drenasit, diçka ishte më ndryshe.

Xhematit të cilët ishin mbledhur për të kryer këtë ritual fetar, ju drejtua Hoxha, Faruk Hoxha, i veshur me veshje kombëtare.

Në vend të çallmës (kapele) dhe xhybes (mantel i gjatë), ky hoxhë, që nga paraqitja duket i ri në moshë, kishte vënë plis dhe jelek e pantallona nga teshat kombëtare.

 

“Vendosa pasi që temën që doja ta përçoja në këtë ditë të festës ishte ‘Obligimet tona ndaj atdheut tonë’ dhe përveç në ligjërim desha të përçoj mesazh edhe nëpërmjet veshjes sime”, tregoi hoxha, Faruk Hoxha, për Albanian Post.

Imami i xhamisë së fshatit shpjegon se mesazhi që deshi të përcjellë te ishte se “ne nëse nuk ndihemi krenarë me të kaluarën tonë nuk do të kemi krenari as me për të ardhmen e vendit tonë”.

Ndër të tjera ai shtoi se bashkëfshatarëve të tij këtë të enjte në xhami u tha se obligimi i parë i një myslimani të mirë është që të jetë aktiv për zhvillimin e vendit të tyre.

“Prej këndeve të profesionit që ka, prej njohurive që ka. Disa gabime të disa të rinjve tonë është se kanë krijuar një bindje në kokën e tyre se e vetmja rrugë për t’i shërbyer vendit e fesë është me kritika dhe ankesa. Atdheut e fesë tonë të dashur nuk i shërbehet vetëm me fjalë, por i shërbehet me punë”, tha Hoxha.

Hoxha u kërkon të rinjve që të bëhen të mirë në drejtimet që kanë zgjedhur për të punuar, sepse sipas tij kështu kontribuohet për fe dhe atdhe.

“Ka thënë i dërguari a.s: Vërtetë Allahu i do besimtarët e talentuar (profesionist), ti mund ti bësh Zotit ibadet duke i shërbyer fesë edhe vendit tënd me profesionin tënd”, shpjegon ai.

 

Mesazhi i fundit për xhematlinjtë e bajramit në xhaminë e Krajkovës, përveç urimeve ishte dhe “nëse ne nuk jetojmë mbi këtë tokë me nderë për t’i dalë zot këtij vendi, duke i ruajtur të mirat dhe duke luftuar të këqijat që i kanosen vendit tonë atëherë më mirë do ishte të jetojmë në brendësin e tij”.

Pas faljes së namazit, Hoxha është ndalur për fotografi me miqtë e tij.

Megjithatë për shkak të pandemisë të krijuar nga Covid-19, edhe këtë vit, është hequr dorë nga ceremonia e manifestimit tradicional të kësaj feste.

Namazi i Bajramit është nga ritet e mëdha të fesë. Për burrat të falet namazi është detyrim, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Zotit qofshin për të, urdhëroi që të falet, dhe pas vdekjes së tij katër halifët e vazhduan të njëjtën traditë.

Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Preferohet që në Fitër Bajram namazi të vonohet disa minuta, kurse të përshpejtohet në Kurban Bajram, duke e ndjekur traditën e Profetit Muhamed.

Një nga veprat e mëdha të ditës së Fitër Bajramit është nxjerrja e zekatit të fitrit para se të falet namazi i Bajramit. Zekati i fitrit konsiderohet pastrim për agjëruesin dhe ushqim për të varfrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore