Kosova

Hovenier: Vështirë të kuptohet përse Kosova do draft tjetër që ndoshta s’do t’i ofrojë përparësitë unike të propozimit të Lajçakut


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, deklaroi se është vështirë e kuptueshme përse Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë një draft-statut tjetër për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që – ndoshta – s’do t’i ofrojë përparësitë e propozimit të Bashkimit Evropian (BE).

“Vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona”, theksoi ambasadori Hovenier, derisa komentoi zhvillimet e fundit në vend.

Duke folur rreth letërzotimit të Qeverisë së Kosovës për hartimin e një draftstatuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin u zotua ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ambasadori amerikan insistoi se draftstatuti i BE-së ofron “një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme” porse mbetet në dorën e qeverisë se si do të procedojë.

“Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por do të them se drafti i BE-së ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”, shtoi ambasadori.

Vjeshtën e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ua paraqiti liderëve në Prishtinë dhe Beograd një draftstatut “modern e evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky draftstatut, në bazë të deklaratave të zyrtarëve evropianë, merr parasysh “vijat e kuqe” të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës.

“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës”, garantoi diplomati amerikan.

Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe konsiderohet obligim i pazbatuar, i cili buron nga marrëveshja e vitit 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave dhe ka fuqinë ligjore të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Hovenier: SHBA-të duan bashkëpunim më të ngushtë me Kurtin – Kosovës i duhet mbështetja amerikane për t’i arritur synimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore