Kosova

Hovenier takon Rakiçin – “Ia rikujtova qëndrimet amerikane rreth masave reciproke të qeverisë”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier

“[Goran Rakiçit] ia rikujtova disa nga pozicionet e Shteteve të Bashkuara në disa nga këto çështje”, tha ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, në kontekstin e masave të reja reciproke ndaj Serbisë që ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Këto masa, siç tha Hovenier, “për nga perspektiva e ShBA-së janë plotësisht në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit”, por edhe “legjitime për t’u bërë”.

“Por, edhe biseduam rreth asaj që duhet siguruar se shqetësimet e serbëve të Kosovës të faktorizohen në këto bisedime dhe të jenë element i asaj se si gjërat do të shkojnë tutje”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan, mes tjerash shpjegoi se kanë biseduar edhe për rëndësinë e një takimi në kuadër të dialogut mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.

“Në mënyrë që të deeskalohen disa nga këto çështje”, tha Hovenier.

Nuk bëhet fjalë, tha ambasadori amerikan, “që ShBA të kërkojë që masat e reciprocitetit të rishikohen”.

“Këtë e thash edhe të dielën mbrëma”, u shpreh ai.

Barrikada ne Veri

Takimi i diplomatit amerikan me Rakiç vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Qeveria e Kosovës tentoi të vendoset masa reciprociteti me Serbin sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë në Kosovë.

Gjithsesi, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga funksionalizimi i masave, meqë kjo u kërkua nga partnerët ndërkombëtarë dhe Kryeministri, Albin Kurti, pranoi që ta shtyjë vendimin për një muaj – deri me 1 shtator.

Në ndërkohë, pritet që të gjendet një zgjidhje në Bruksel.

Forca politike që përfaqëson serbët në Kosovë, Lista Serbe, kryetar i së cilës është Goran Rakiç, është rreshtuar me Beogradin dhe ka organizuar barrikadim të rrugëve në veri, si kundërpërgjigje dhe tregim i pakënaqësisë së tyre me masën e ekzekutivit kosovar.

Takimi Hovenier – Rakiçi vjen në këtë kontekst.

Hovenier takon Rakiçin – “Ia rikujtova qëndrimet amerikane rreth masave reciproke të qeverisë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore