Lajme

Hovenier: Në Kosovë e ndalëm spastrimin etnik, por s’mbështesim të gjitha qeveritë


Në konferencën e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se asnjë shtet në botë nuk përfiton sikurse Kosova, derisa ka treguar se vendi i tij e ka ndalur spastrimin etnik.

“Kosova ka marrë shumë dhe ka marrë me plot të drejtë. SHBA-të kanë qëndruar përkrah Kosovës ashtu siç ka bërë edhe BE-ja. Kolegët e mi kanë qenë pranë Kosovës duke e njohur pavarësinë, duke i ndihmuar këtij vendi që të përparojë, duke e ndalur spastrimin etnik, por kjo nuk do të thotë që do të mbështesim të gjitha qeveritë në të gjitha vendimet”, tha Hovenier.

“Nuk di se çfarë do të bëja më shumë unë apo ambasada e SHBA-së, se çfarë jemi duke bërë tani, duke u përpjekur që ta avancojmë rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës”, shtoi ai.

Hovenier, ka theksuar se Kosova duhet të tregojë vullnet të vazhdueshëm dhe kreativitet në dialogun me Serbinë në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se sipas tij, rruga e vetme drejt kësaj është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne kemi shumë besim të Miroslav Lajçak dhe BE-ja, por edhe ne jemi shumë aktiv në procesin e dialogut”, potencoi Hovenier.

I ulur krah ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Hovenier pohoi se Kosova do të duhej të zbatonte pjesët e veta të marrëveshjes me Serbinë, pa e pasur syrin se çfarë paraprakisht po bën Serbia.

“Strategjia më e mirë për Kosovën është që të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet, kreativitet, energji, përkushtim dhe zbatim të obligimeve të cilat i ka marrë”, pohoi Hovenier.

Prandaj, e potencoi prapë se “shpresa ime është që qeveria të dëgjojë këshillat e dhëna.

Jeffrey Hovenier

Diplomati amerikan, në fund të muajit të kaluar në në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë, kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se vendimi për ndalimin e dinarit “e ka afektuar kualitetin e partneritetit tonë”.

“S’mund të them më shumë tani, pos që ne nuk duam të jetë kjo situatë kështu. Por, ne besojmë se arsyeja e në reduktimin e kualitetit të partnershipit tonë, arsyeja përse s’mund t’iu them se partneriteti është i fuqishëm dhe pozitiv, është për shkak të këtij vendimi dhe për shkak të mungesë së përgjegjshmërisë së mjaftueshme të Qeverisë ndaj shqetësimeve që ne i kemi ngritur”, pati theksuar ai.

Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, Hovenier ka folur edhe rreth disa lajmeve se do të ketë sanksione ditëve të ardhshme për ministra e politikanë të Qeverisë së Kosovë, por tha se të njëjtat janë krejtësisht informacione të pavërteta.

“Jam në dijeni se gjatë vikendit kishte disa raportime jo korrekte dhe të papërgjegjshme rreth vendimeve nga qeveria e SHBA-ve në raport me distancimin ndaj disa individëve për shkak të politikave të caktuara, por ne nuk para-flasim  për vendime për sanksione derisa ta bëjmë vetë publikisht”, pohoi Hovenier.

Hovenier, kohëve të fundit, ka shpeshtuar daljet dhe deklaratat e tij publike, dhe krejt kjo pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, i cili, siç kanë thënë ShBA-të, u mor pa u koordinuar me ta, dhe se i njëjti ka cenuar raportet mes dy shteteve respektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore