Kosova

Hovenier: Ndërhyrja e NATO-s e drejtë e legjitime, ndalëm spastrimin etnik


Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, ka thënë se bombardimet e NATO-s ndaj caqeve dhe ushtrisë serbe 25 vite më parë kanë qenë të drejta dhe legjitime, për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

Këto komente, Hovenier i ka bërë të premten në konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temë; “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe synimi për anëtarësim në NATO”.

Në fjalën e tij, Hovenier theksoi se 25 vjet më parë, bota dëshmoi për një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, derisa kujtoi bisedimet për paqe në Rambuje, të cilat përfunduan pa marrëveshje.

“Ne shterëm të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit të Millosheviç-it.

“Siç tha Presidenti Bill Clinton më 23 mars 1999, një ditë përpara se NATO të niste Operacionin Forcat Aleate: ‘Nëse presidenti Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë me kosovarët’”, shtoi.

Diplomati amerikan potencoi se derisa e shënojmë me solemnitet këtë 25 vjetor të fillimit të bombardimeve të NATO-s, “kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur”.

“Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që vdiqën gjatë operacionit të NATO-s”.

Ai deklaroi se pasi shteroi të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, “NATO kishte një imperativ moral për të vepruar – dhe ne e bëmë”.

Dhe përdorimi i forcës në këtë rast, ka thënë Hovenier, “ishte i domosdoshëm dhe legjitim, duke pasur parasysh krizën humanitare që bota po shihte të shpalosej në kohë reale”.

“Siç shpjegoi më tej Presidenti Clinton në atë kohë: ‘Ne veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… ne veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe’”.

“Shtetet e Bashkuara mbështetën fushatën 78-ditore të NATO-s për të dëbuar forcat e Millosheviç-it nga Kosova dhe për t’i dhënë fund spastrimit etnik, duke kontribuar në mijëra fluturime ajrore ndërsa ne vazhduam të rrisnim presionin diplomatik”.

Operacioni i “Forca Aleate”, pohoi ai, hapi rrugën për përfundimin e armiqësive dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën në shtëpi.

Diplomati amerikan potencoi se të gjitha përpjekjet e tyre ishin në mbështetje të vizionit të përbashkët për një Evropë që është “e plotë, e lirë dhe në paqe”.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO veproi për të avancuar atë vizion për Evropën; ne vazhdojmë të punojmë sot për ta arritur atë”.

“Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë”.

Ai theksoi se shteti që përfaqëson mbetet i përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga

“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga Forca e NATO-s, KFOR. Ne e pranojmë dhe shprehim vlerësimin tonë për përkushtimin dhe sakrificat e KFOR-it këtu gjatë 25 viteve të fundit”.

Dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, shtoi ai, “ne përsërisim vizionin e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

“Ne e shohim stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si çelësin për avancimin e këtij premtimi, veçanërisht pas pushtimit të pamëshirshëm në shkallë të plotë të [Vladimir] Putinit në Ukrainë, ku po shohim shkatërrime dhe katastrofë të paimagjinueshme humanitare”.

Për Kosovën, sipas Hovenier-it, “urgjenca e integrimit evropian dhe euroatlantik është e qartë; është mjeti për të garantuar sigurinë, prosperitetin dhe liritë demokratike që dëshironi për fëmijët tuaj”.

Po ashtu, ai tha se është thelbësore për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, derisa ripërsëriti se rruga e integrimit të vendit është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Në këtë kontekst, më duhet të përsëris atë që unë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kemi thënë vazhdimisht: Rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe konkretisht me mirëbesim dhe zbatimin e plotë të të gjitha angazhimeve që Kosova ka bërë në kuadër të Dialogut”.

Ai theksoi se shikojmë që kjo Qeveri e Kosovës, “ashtu siç kemi parë nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojë në partneritet me ne ndërsa vazhdojmë në përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor”.

“Gati njëzet e pesë vjet që nga Operacioni i Forcave Aleate dhe çlirimi i Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara ka qenë krenar që qëndron krah për krah me popullin e Kosovës, ndërsa ju keni ndërtuar – nga themeli – një demokraci sovrane, të pavarur e multi-etnike”.

“Ne jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me ju për të siguruar që çdo individ në Kosovë të mund të jetojë me kushte dinjiteti, lirie dhe sigurie, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo rrethanat”.

Pra, potencoi ai, teksa shënohet ngjarjet e 25 viteve më parë, dhe duke reflektuar për të kaluarën e vështirë të Kosovës, “shpresoj se mund të shikojmë edhe përpara drejt së ardhmes – një të ardhme me mundësi të pasura për Kosovën dhe për rajonin”.

“Shpresoj se mund të ripërkushtohemi për të punuar drejt një të ardhmeje në të cilën Kosova do të realizojë premtimet dhe vizionin e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së një shoqërie sovrane, demokratike, multietnike”.

Hovenier u shpreh i bindur se mund të avancohet së bashku ky vizion dhe të sigurohet siguri dhe dinjitete për popullin e Kosovës dhe për rajonin në përgjithësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore