Kosova

Hoti: Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa mundësi të shprehjes


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur ekzekutivin “qeveri autoritare”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se për miratimin e ligjeve më të rëndësishme për administratën shtetërore, qeveria po ngut deputetët.

“Pse gjithë kjo nguti nga mazhoranca për dy nga ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore?”.

“Dy ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, “Ligji për pagat në sektorin publik” dhe “Ligji për zyrtarët publik”, po shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar pa asnjë arsye”.

Sipas Hotit, qeveria as nuk po krijon mundësi që të jepen mendime për këto ligje.

“Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje”.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka kujtuar Qeverisë se pse këto ligje janë të rëndësishme.

Prandaj, ka bërë thirrje që të dëgjohen mendimet.

“Ligji i pagave i përcakton të ardhurat e rreth 85 mijë të punësuarave dhe familjeve të tyre, pra të ardhurat nga të cilat jetojnë rreth 400 mijë qytetarë. Ndërkaq, Ligji i zyrtarëve publik përcakton statusin e punësimit, të drejtat dhe karrierën e të gjithë zyrtarëve publik”.

“Kjo qasje e mazhorancës nuk ka asnjë kuptim. Këto dy ligje duhet të miratohen vetëm pas diskutimeve gjithëpërfshirëse dhe shteruese me të gjithë ata që ndikohen nga këto ligje”.

Ai ka shtuar se nuk mjafton që ligjet të jenë në përputhje vetëm me kushtetutën.

“Ato duhet të jenë në përputhje me parimet elementare të të drejtave të të punësuarëve në sektorin publik, si dhe të dakorduara në parim me sindikatat që i përfaqësojnë ata të punësuar”.

Vendimi i së enjtes në Kuvendin e Kosovës ishte që afati për amendamente të jetë deri të hënën e 19 dhjetorit.

Ndërkaq, sipas ish kryeministrit, do të duhej që të krijohej hapësirë edhe për diskutim me grupet e interesit, me sindikatën e arsimit, të shëndetësisë, të shërbimit civil, të policisë dhe sindikatat e tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore