Lajme

Hoti thotë se në tri vitet e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, konsideron se në tre vitet e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se politika buxhetore që është aktualisht nuk siguron zhvillim.

“Përkeqësim i paprecedent i strukturës së buxhetit në tri vitet e fundit: Trefish më shumë shpenzohet në subvencione-transfere se në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve apo në pajisje të ushtrisë e policisë”.

“Kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim. As varfëria nuk eliminohet kështu. Ajo mund të zbutet përkohësisht me subvencione, por eliminohet vetëm me zhvillim”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, më shumë është investuar në qeverisjen e ish kryeministrit Isa Mustafa.

“Më tepër është investuar në 2 vite e 9 muaj të Qeverinë Mustafa (979 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror), se në Qeverinë aktuale që është në vitin e katërt të mandatit (910 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror)”.

“Për më tepër, në Qeverinë Mustafa 20 për qind e buxhetit është dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror. Ndërkaq, në Qeverinë aktuale, shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12 për qind të buxhetit”.

Edhe më 1 nëntor të 2023-ës, Hoti kishte theksuar se partia e tij do ta analizojë projekt-buxhetin për 2024 në ditët në vijim, por kishte thënë se “problemi është se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme”.

Deputeti i LDK-së ka potencuar se rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale.

Më 31 tetor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 171-të të Qeverisë, kishte bërë të ditur se buxheti i Republikës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore