Lajme

Hoti thotë se është “i pakuptimtë” vendimi me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar vendimin për tri doza të vaksinave për të hyrë në Kosovë, e që sipas tij është i pakuptimtë.

“Këto ditë kam pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukëksi, Lugina e Preshevës dhe Shkupi e Tetova. Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai e ka konsideruar si faktor shqetësues edhe mungesën e koordinimit të Qeverisë së Kosovës me qeveritë e shteteve tjera.

“Shqetësuese është mungesa e koordinimit të Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimeve të tilla me Qeverinë në Tiranë dhe atë në Shkup, si dhe me Kryetaren e Preshevës”.

Hoti ka bërë krahasim edhe lëvizjet ditore që bëhen nga vendi në vend.

“Lëvizjet ditore nga Presheva në Gjilan, apo nga Kukësi në Prizren, janë sikur lëvizjet nga Prizreni në Gjakovë apo nga Gjilani në Ferizaj. Prandaj, çdo vendim që merret duhet parë si ndikon në jetën e qytetarëve andej kufirit, sepse e kemi obligim shtetëror”.

Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu, në seancën e mbajtur më 27 janar, ekzekutivi është kritikuar nga opozita për masat e vendosura ndaj luftimit të Coronavirusit.

Ndërsa, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e tri partive opozitare me rekomandimet për masat kundër pandemisë COVID-19 si dhe rekomandimet e tjera mbi situatën e krijuar pas rritjes së rasteve me COVID-19.

Nga 62 deputet, pro rekomandimeve ishin 21 deputetë të opozitës dhe kundër 41 deputet të pozitës, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

“Në emër të tri grupeve opozitare, ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike”.

“Të hartojë në kohë vendosjen e masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19”.

Në mesin e rekomandimeve ishte edhe ai që Kosova të konsultohet me shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për masat kundër COVID-19.

Gjithashtu, pjesë e rekomandimeve të opozitës për Qeverinë ishte edhe rekomandimi që të dërgohen në organet e drejtësisë keqpërdorimet me çmimet e barnave dhe artikujve të tjerë mjekësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore