Lajme

Hoti: Të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avduallah Hoti, ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet krimineli dhe terroristi Milan Radojiçiç, në Veri, saktësisht në Banjskë, aty ku ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku ka prezantuar 5 veprime që duhet të bëhen pas kësaj ngjarje.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti fillimisht ka thënë se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën që shkoi “nuk mund të cilësohet si sulm i një grupi të individëve të radikalizuar”.

“Armatimi i konfiskuar dhe sjellja e grupit terrorist dëshmojnë për një sulm terrorist të përgatitur profesionalisht, të cilën gjë mund ta bëjnë vetëm strukturat shtetërore të Serbisë”, shkroi.

“Nëse kjo nuk qëndron”, pohon ai, atëherë Serbia “është shtet i dështuar ku mbizotërojnë struktura të armatosura kriminale”.

Tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka potencuar se institucionet ndërkombëtare dhe aleatët me të drejtë e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, “por tani duhet me ngulm të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve”.

“Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të ndërmarrin operacione të gjera të kontrollit për të zbuluar të gjithë rrjetin terrorist”.

Deputeti i LDK-së shtoi se hetimi penal dhe gjykimi i personave të përfshirë në këtë akt terrorist “duhet të bëhet sipas ligjit vendor, në respektim të konventave ndërkombëtare përkatëse, me transparencë maksimale, duke i informuar në vazhdimësi akterët ndërkombëtarë të sigurisë që operojnë në Kosovë dhe duke i ftuar ata ta përcjellin gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Sipas mediumit boshnjak Istraga.ba, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore