Lajme

Hoti: Shqetësues për buxhetin publik joefikasiteti i OSHP-së


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se aktualisht ka kombinim fatal për buxhetin e shtetit nga joefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tenderët njëburimor në rritje.

“Gjysma e stafit kanë dhënë dorëheqje në dy vitet e fundit. Jo të gjithë janë zëvendësuar. Kjo ka ndikuar shumë në shqyrtimin e lëndëve. 1071 ankesa janë dorëzuar në OSHP gjatë vitit 2023”.

“Rreth 45% e ankesave lidhen me rivlerësim të ofertave, anulim tenderi apo parregullsi në dosjen e tenderit. Kjo ngre shqetësime lidhur me veprimet e institucioneve publike sa i përket vlerësimit të tenderëve”, ka shkruar Hoti në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndërsa, ka shtuar se aktualisht OSHP-ja është duke funksionuar vetëm me 3 anëtarë të bordit, nga 5 sa duhet të ketë.

“Rrjedhimisht, rregullorja e punës që kërkon shqyrtimin e lëndëve të veçanta me 5 anëtarë nuk mund të zbatohet”.

“Për më tepër, OSHP e ka ndryshuar rregulloren e punës, duke e rritur vlerën e lëndëve që shqyrtohen me vetëm 1 anëtar nga 120.000 euro në 300.000. Më herët këto lëndë janë trajtuar nga paneli prej 3 anëtarëve. Kjo është drejtësi kontekstuale, me vendime që merren brenda kufizimeve me të cilat përballet OSHP”.

Gjatë viteve të kaluara nga OSHP-ja ka pasur edhe numër të madh të lëndëve të pazgjidhura kjo për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore