Kosova

Hoti shpreh “keqardhje” që Kosova s’ka ambasador në Izrael: Kjo është mungesë respekti ndaj SHBA-së


Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen pasdite, shprehu “keqardhje” që edhe pas tri vitesh që kur Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike, ekzekutivi kosovar akoma s’e ka emëruar ambasadorin e vet në Izrael, duke shfaqur mosrespekt.

Hoti, i cili nënshkroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vitin 2020 që parapriu njohjen e Kosovës nga Izraeli në këmbim të vendosjes së ambasadës kosovare në Jerusalem, tha se kjo është “mungesë respekti” nga Qeveria e Kosovës ndaj njohjes që erdhi nga Shtëpia e Bardhë.

“Kosova ende përfaqësohet në Izrael me të ngarkuar me punë. Kjo është mungesë respekti e krerëve të shtetit të Kosovës ndaj njohjes që na erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë pas vitesh mungese të njohjeve. Kjo është mungesë respekti ndaj shumë marrëveshjeve që Izraeli ka nënshkruar me Kosovën pas shkëmbimit të misioneve diplomatike në shkurt 2021”.

“Këta që më shanin në kuvend për një marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e hidhnin dyshime për validitetin e kësaj njohjeje që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë, duhet të tregojnë respekt e mirënjohje pë aleatët e Kosovës. Pa ta Kosova mbetet e izoluar, pa zhvillim, pa integrime euro-atlantike”, shkroi ish-kreu i ekzekutivit në një postim të fundit.

Reagimi i Hotit erdhi pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit. Irani lëshoi më shumë se 300 raketa dhe dronë drejt Izraelit mes 13 dhe 14 prillit 2024. Autoritetet e Kosovës shprehën solidaritet me Izraelin, duke dënuar sulmet e pashembullta të Iranit ndaj Izraelit. Në fakt, ndonëse në armiqësi prej dekadash, ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore