Lajme

Hoti për Kurtin: Negocimi i statutit të Asociacionit është veprim që shkel mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin


Albin Kurti dhe Avduallah Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është duke “shkelur mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka treguar për pritjet që ka për takimin që pritet të mbahet të martën në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e ‘Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual”.

“Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”, ka shkruar Hoti.

Teksa, ka sqaruar se nuk ka pritshmëri që të arrihet diçka e mirë nga kjo marrëveshje.

“Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes pë Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve.

Përveç Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në këtë takim do të diskutohet edhe për të pagjeturit/të zhdukurit me dhunë.

Për takimin e kësaj të marte, Kurti udhëtoi për në Bruksel një ditë më parë, të hënën.

Madje, në llogarinë e tij në Facebook e Twitter, në orët e vona të së hënës, ai ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “në Bruksel, duke u përgatitur për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut i cili do të zhvillohet nesër (të martën)”.

Në ora 18:00 është raportuar se do të nis ky takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore