Lajme

Hoti, Kurtit: Mospjesëmarrja në takimin e Tiranës, heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e populli


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar mospjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit.

Sipas Hotit, në këtë mënyrë Kurti po tregon se është duke hequr dorë nga “obligimet shtetërore” dhe po tallet “me aspiratat e popullit”.

“Mospjesëmarrja e Kryeministrit në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit është heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka vlerësuar që nuk mund të ketë asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për kreun e ekzekutivit sesa ky i sotit.

“Kështu që, nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për Kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të Kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit”.

“Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”.

Ai tutje ka sqaruar rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe nevojën që Kosova të jetë e pranishme në takime të tilla.

“Procesi i Berlinit është përcaktuar për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Që nga fillimi i tij në vitin 2014, dakordimet e arritura në takimet vjetore të Procesit të Berlinit kanë qenë përcaktuese për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”.

“Bazuar në ato dakordime, janë marrë vendimet përkatëse të institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën ka qenë tepër e rëndësishme pjesëmarrja në këtë mekanizëm, mbi baza të barabarta si çdo vend tjetër, duke qenë faktor përcaktues për progresin në integrimin e rajonit së tërësi në BE”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në një takim joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet të hënën në Tiranë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri ka angazhime tjera në Greqi.

“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Takimi në Shqipëri është organizuar nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor.

Kurti nuk do të jetë i pranishëm në takimin e liderëve të rajonit në Tiranë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore