Kosova

Hoti: Heshtja e presidentes, qëndron krahë pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve me SHBA-në


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për mosdeklarimin e presidentes, Vjosa Osmani, për përjashtimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), nga “Defender Europe 2023”, është shprehur se po dëmton akoma më shumë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka potencuar se Osmani është duke qëndruar në krah të Qeverisë së Kosovës rreth situatës aktuale në Veri.

“Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura asnjë fjalë s’e nxjerr nga goja për përjashtimin e ushtrisë të cilën e komandon, nga ushtrimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në rajon – ‘Defender 2023’. Shefja e shtetit po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, SHBA-në”, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka përmendur edhe rolin e presidentës në raste të tilla.

“Si çdo republikë parlamentare, edhe Kosova e ka Presidentin posaçërisht për raste të tilla – për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale”.

Sulmet ndaj policëve, gazetarëve, reagimet nga ndërkombëtaret, përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’, e gjithë kjo për shkak të situatës së krijuar në komunat veriore, nuk morën asnjë përgjigje nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe pse Osmani, është e emëruar njëkohësisht edhe si komandante supreme, nga ajo nuk është thënë as edhe një fjalë as për ‘Defender Europe 2023’.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe vazhdimisht kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

“Ky vend s’ka presidente”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore