Lajme

Hoti e Murati përplasen për Trustin, “mos u zgërdhij, unë s’të respektoj fare”


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë përplasur të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere rreth mosemërimit të bordit të Trustit.

Hoti, derisa po fliste ka kërkuar nga Murati që në këtë cështje të jetë serioz dhe të mos qesh.

“Mos u zgërdhij kur të flasë, le të jemi serioz. 2.5 miliardë euro nuk kanë menaxhim. Të lutem të diskutojmë me seriozitet, mos u zgërdhini gjatë diskutimit. Unë nuk të respektoj fare, por jeni ministër dhe duhet të raportoni. Unë të kam thirrur në përgjegjësi institucionale”, u shpreh Hoti.

Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i mohoi këto akuza duke thënë se në Komision është shumë serioz.

“Në pyetjen e zotit Hoti dua t’i them se nuk mund të përgjigjemi se a jemi pajtuar apo jo për konkursin, sepse ne jemi njoftuar vetëm kur është përmbyllur procesi i konkursit. Për atë pozitë kanë aplikuar 47 persona, 26 persona kanë qenë ndërkombëtare apo të paktën me përvojë ndërkombëtare”.

“Janë bërë disa deklarata se Trusti po humb, ngase ministri i Financave apo Auditorja nuk po mund ta krijojnë bordin. Është totalisht e papranueshme kjo propagandë që është bërë”, u përgjigj Murati.

Në këtë komision janë ftuar edhe guvernatori i Banks Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti; Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli.

Mos zgjedhja e anëtarëve të bordit bordit menaxherial të Trustit nga ana e Qeverisë së Kosovës, po rrezikon mbi 2 miliardë euro të kursimeve pensionale të kosovarëve.

Nga institucionet akoma nuk është marrë vendim për emërimin e bordit, teksa nga Trusti kanë përfunduar të gjitha detyrat që janë në kompetenca të tyre.

Menaxheri i marrëdhënieve me publikun, Jeton Demi, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kishte thënë se mungesa e bordit drejtues dhe pasojat që mund të vijnë nga ta janë deklaruar qysh nga 1 marsi.

“Për çështjen e mungesës së Bordit Drejtues ne e kemi bërë deklarim në uebfaqen tonë qysh më 1 mars 2023”, thotë Demi për AP.

“Ne e kemi kryer detyrën tonë sapo na është kërkuar shpallja e konkursit për anëtarë të Bordit Drejtues dhe të gjithë dokumentacionin e kemi dërguar në Bankën Qendrore të Kosovës më 27 dhjetor 2022 për t’i trajtuar më tutje”.

Ai tutje sqaroi se investimet rrezikohen duke u bazuar në një numër të faktorëve, por analiza e të cilave nuk mund të bëhet për shkak të mungesës së bordit.

Trusti pensional nuk është i vetmi institucion kyç që ka mbetur pa bord.

Edhe administrata tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur teksa edhe Banka Qendrore e Kosovës do të mbetet pa guvernator nga java e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore