Lajme

SHBA: Shpresojmë të arrihet një marrëveshje për çështjen e dinarit, s’e vëmë në dyshim autoritetin e BQK-së


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret të arrihet një marrëveshje për çështjen e dinarit, derisa në Bruksel po zhvillohen takime mes kryenegociaotëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

“Shpresojmë që çështje a dinarit do të zgjidhet, por nuk e vë në dyshim autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Por, duhet pasur parasysh rendësin e këtij vendimi për qytetarët serbë. E vlerësojmë angazhimin për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Shpresojmë që kjo çështje do të zgjidhjet nga dyja palët”, tha Hovenier para gazetarëve.

Tutje, ai ka shtuar se ShBA-ja kërkon që të zbatohet marrëveshja e Brukselit/Ohrit nga Kosova dhe Serbia në mënyrë të plotë dhe pa vonesa.

Jeffrey Hovenier

Honvenier: Serbia e shkeli marrëveshjen për lëvizje të lirë, jam i shqetësuar për ndalimin e Jankoviç-it

Diplomati amerikan ka theksuar se është i shqetësuar që në Serbi po mbahet në paraburgim nga mërkura zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Jankoviç.

“Jam i shqetësuar që po mbahet i burgosur Jankoviç në Serbi. Jam i shqetësuar për këtë çështje sepse e ne e njohim për vite të tëra dhe kemi ndihmuar për integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës. Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë”, shtoi.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, është dërguar në paraburgim në Serbi për 48 orë, për veprën “prishje të rendit kushtetues”.

Këto komente, Sveçla i ka bërë në një konferencë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, pas mbledhjes së qeverisë, ku ka theksuar se Jankoviç është dërguar të mërkurën në Rashkë.

“Sipas informatave që kam, ai është dërguar në paraburgim për 48 orë, me akuzën për ‘prishje të rendit Kushtetues’. Akuzë të cilën vetë presidenti Aleksandër Vuçiç e përmendi në adresimin e tij gjatë vizitës në njësitin ‘Kobra’”, ka thënë Sveçla.

“Fakti se zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës është arrestuar dhe transferuar në Rashkë duhet të jetë alarm për të gjithë. Nuk është vetëm abuzim i rëndë nga ana e Serbisë, por Vuçiç me arrestimin e mbajtjen e Jankoviç-it synon të dërgojë mesazh të qartë të frikësimit për serbët e Kosovës që janë integruar apo donin të integroheshin në Policinë e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore