Shqipëria

Holta Zaçaj betohet në Presidencë si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese


Të mërkurën e 25 janarit është zhvilluar përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ceremonia e betimit e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të saj nga Gjykata e Lartë, gjyqtarja Holta Zaçaj bëri betimin.

“Gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.”

Begaj i uroi suksese zonjës Holta Zaçaj në detyrën e re.

Kështu, gjykata Kushtetuese u plotësua së fundmi me një tjetër anëtar të ri.

Për herë të parë që pas miratimit të Reformës në Drejtësi, Gjykata Kushtetuese është në funksionalitet të plotë.

Kushtetuesja ishte gjykata e parë, e cila për një hark kohor më shumë se dy vjeçar pushoi së funksionuari.

Kjo, për shkak se pesë anëtarë të saj nuk kaluan filtrin e vetting-ut, ndërsa tre të tjerë dhanë dorëheqjen duke i shpëtuar procesit të rivlerësimit.

Për një kohë të gjatë ajo u la vetëm me kryetaren, Vitore Tusha.

Gjykata e Lartë propozon dhe ka të drejtë emërimi për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga nëntë që ka gjithsej ajo.

Tre përzgjidhen nga presidenti dhe tre të tjerët nga Parlamenti.

Tashmë, siç parashikohet në ligj, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të jenë edhe kandidatë potencialë.

Konkretisht: Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore