Lajme

Historitë e fëmijëve të vrarë në Texas


Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vrarë dhe dy mësuese.

Xavier ishte dhjetë vjeç dhe sapo kishte marrë një çmim në shkollë.

Eliahana ishte në klasën e katërt dhe të martën, ditën e masakrës, nuk donte të shkonte në shkollë.

Eva Mireles ishte një mësuese mbështetëse dhe e donte punën e saj.

Pak orë pas masakrës së shkollës në Uvalde të Texas-it, nisën të qarkullojnë emrat e viktimave të masakrës së kryer nga Salvador Ramos, 18 vjeç.

“Ai qëlloi këdo dhe çdo gjë para tij”, kanë treguar të mbijetuarit.

Jose Flores

Ai ishte në klasën e katërt, në shkollën fillore Robb.

Për të ka folur xhaxhai i tij Christopher Salazar, i cili ka konfirmuar vdekjen e nipit të tij.

“Ai ishte një djalë i vogël, shumë i lumtur. Ai i donte të dy prindërit… dhe i pëlqente të qeshte dhe të argëtohej”, ka thënë Salazar.

Djali kishte dy vëllezër dhe një motër dhe “i pëlqente të shkonte në shkollë”.

Vetëm disa orë para të shtënave, Jose kishte marrë një çmim për rezultatet e larta në mësime.

“Ishte shumë i zgjuar”, ka thënë Salazar.

Jose pëlqente të luante edhe bejsboll.

Amerie Jo Garza

Ishte 10 vjeçe. Ndiqte klasën e katërt të Robb Elementary.

Ishte babai i saj, Angel Garza, që e dha lajmin e hidhur në Facebook.

“Faleminderit të gjithëve për lutjet tuaja dhe për ndihmën që më keni dhënë për të gjetur vajzën time. U gjet. Dashuria ime e vogël tani po fluturon me engjëjt lart. Përqafoni familjen tuaj. Tregojuni atyre se i doni ata. Të dua Amerie”, ka shkruar ai.

Kurse gjyshja e saj ka treguar se kur vajza pa vrasësin u përpoq të telefononte 911-n.

Ajo ishte e ulur pranë shoqes së saj më të mirë.

“I armatosuri hyri dhe u tha fëmijëve: Ju jeni gati të vdisni”, ka treguar ajo.

Amerie Jo mori telefonin e saj dhe thirri shërbimet e urgjencës.

Ai e qëlloi.

Ellie Garcia

Kanë qenë prindërit që e kanë konfirmuar vdekjen e saj.

Xavier Lopez

Ai ishte 10 vjeç dhe ndiqte klasën e katërt të shkollës fillore Robb në Uvalde.

Prindërit e tij e kanë konfirmuar lajmin për vdekjen e të voglit.

Pak orë para masakrës, nëna e tij ishte me të në shkollë për një ceremoni çmimesh.

Uziyah Garcia

Fotot e tijj janë siguruar nga gjyshi Manny Renfro.

Ai ka thënë se “Garcia ishte fëmija më i ëmbël që kam njohur ndonjëherë”.

Eliahana Torres

Ajo ishte 10 vjeçe.

Vdekja e saj është konfirmuar në Facebook.

Makenna Elrod

Edhe ajo ishte veç 10 vjeçe.

“Nuk po mundemi ta gjejmë. Po shkojmë në morg”, ka shkruar i ati i saj.

Vdekjen e saj e ka konfirmuar një mik i familjes.

Eva Mireles, mësuesja e parë e identifikuar

Ajo ishte 44 vjeçe dhe kishte punuar në distriktin shkollor për 17 vite.

Ishte e martuar me një oficer policie dhe ishte nënë e një vajze.

E donte punën e saj.

Irma Garcia, mësuesja e dytë

Ajo ishte 46 vjeçe. Ka lënë pas katër fëmijë.

Mësuese që prej 23 vjetësh.

Në vitin 2019, ajo u emërua mësuesja e vitit.

Nga njoftimet e policisë, mësuesja mësohet se ka bërë gjithçka për të mbrojtur nxënësit e saj.

Annabell Guadalupe Rodriguez

Ajo ishte dhjetë vjeç dhe është një nga vajzat e fundit që është identifikuar.

Nevaeh Bravo

Ishte 7 vjeçe.

Kushëriri i saj ka qenë ai që ka konfirmuar vdekjen e saj në Twitter.

“Nevaeh ime e bukur është një nga viktimat e shumta të tragjedisë së sotme. Pusho në paqe vogëlushja ime e ëmbël”, ka shkruar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore