Historia nuk fillon nga zeroja – Intervistë me ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumin
Bajram Kosumi
Armat Matoshi
17.02.2023 7:30Ish-kryeministri i vetëm i Kosovës që e mori këtë post si gazetar dhe Rektori i Universitetit publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, në një intervistë për Albanian Post, ka rrëfyer për ngjarjet, njerëzit, emrat, kohët, vuajtjet dhe rrugën e tij të gjatë e të mundimshme deri në lirinë e asaj që sot quhet Republika e Kosovës.
Kosumi ishte njëri ndër organizatorët e demonstratave studentore që shpërthyen në vitin 1981 dhe bashkë me vëllaun e tij ka vuajtur 10-vjet burg nga 15 sa ishte dënuar në total nga regjimi i atëhershëm jugosllav nën dyshimin e organizimit të aktiviteteve “armiqësore/nacionaliste” ndaj ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Megjithëse reformat kushtetuese të RSFJ-së (1974) u lejuan krahinave autonome më shumë kontroll vendor dhe propozime, ky dhjetëvjeçar po ashtu çoi drejt thellimit të çarjeve shoqërore, politike e ideologjike me elitat komuniste që e mbanin si trofe autonominë e Kosovës dhe druheshin se mos e humbnin.
Sipas Kosumit, autonomia e Kosovës ka qenë një “gotë qelqi” në duar të Serbisë gjatë gjithë kohës dhe një “kështjellë letre” e klasës politike të atëhershme kosovare, të cilën kështjellë ata mundoheshin t’ia shesin popullit si liri, por pas ngjarjeve të marsit-prillit ’81 u hoq maska e një regjimi shtypës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Fatkeqësisht, të gjitha kanë qenë mashtrime të turpshme, sado brenda asaj kështjelle prej letre ka pasur disa përparime. Më 26 mars 1981, kur hynë njësitë speciale të Federatës Jugosllave në konviktet e studentëve, u çirr maska e kësaj politike, e kësaj autonomie dhe e kësaj klase politike”, potencon Kosumi për Albanian Post.
Ai më 24 maj të vitit 1993 – pas minatorëve të Trepçës (1989) – bashkë me kolegë gazetarë dhe punonjës të tjerë të shtëpisë botuese “Rilindja” hynë në grevë urie, e cila do të zgjaste deri më 3 qershor të atij viti, me kërkesën e vetme: “Për fjalën e lirë, kundër dhunës”.
Fillimisht në grevë kishte hyrë Adem Demaçi, që në atë kohë ndodhej në krye të “Zërit të Rinisë” dhe me këtë rast Kosumi kujton se përkundër përpjekjeve të regjimit fashist të Sllobodan Millosheviç-it për t’i shtypur ata që i dhanë gjuhë një kohe të nemitur e plot ankth, rezistenca sa bëhej më e fuqishme.
“Serbia ishte në kulmin e nënshtrimit administrativ e ushtarako-policor të Kosovës, por sa më fortë ata, ne rezistonim aq më fort. Ne ishim të vetëdijshëm se Beogradi do ta merrte Pallatin e Shtypit, por nuk e lëshonim. Le ta marrin me dhunë, por nuk e jepnim vetë”, kujton Kosumi.
Kosumi në vitin 1999 do të emërohej Ministër i Informacionit në Qeverinë e Përkohshme apo në Qeverinë e Rambouillet, ndërsa në vitin 2005 do të emërohej kryeministër i Kosovës pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen për t’u transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ai udhëhoqi procesin “Standardet para Statusit” që u monitorua nga diplomati norvegjez Kai Eide dhe ia doli t’i kanalizonte energjitë e aktorëve më të mëdhenjë politikë dhe qëllimit për t’i arritur standardet e qeverisjes së mirë, përfshirë mbrojtjen e komunitetit pakicë pas trazirave të marsit (2004).
“Ditën kur e morëm lajmin, nga kanale diplomatike, se KS (Këshilli i Sigurimit – OKB) e miratoi raportin, erdhën në banesën time një numër i zyrtarëve të UNMIK dhe bashkëpunëtorëve të mi, por edhe ndërkombëtarë, midis tyre edhe zv/shefi i UNMIK-ut, z. Lari Rosin, dhe festuam”.
Kosova sot feston 15-vjetorin e Pavarësisë dhe në sytë e një politikani dhe gazetari që preku majat e trishtimit, përkundër çështjes së pazgjidhur me Serbinë, shteti më i ri në Evropë është kthyer në model për rajonin, porse mbeten ende punë për të kryer, sidomos në edukimin e gjeneratave të reja.
“Ne e kemi penguar veten tonë, kryesisht klasa politike e Kosovës, për shkak të interesave grupore, partiake apo individuale, apo edhe për shkak të frustrimeve politike, duke ‘filluar historinë’ nga zeroja, ngjashëm me kompleksin e Rozafatit”, shpjegon Kosumi.
Në vorbullën e shumë zhvillimeve pasi skenën politike e ‘trazoi’ një propozim i ashtuquajtur franko-gjerman, si një veteran që ka kaluar pothuajse në të gjitha proceset që kulmuan me pavarësi, nënvizoi se pala kosovare ka nevojë për aftësinë racionale të të bërit kompromis, porse s’ka nevojë të kryej “vetëvrasje” për hir të paqes.
“Besoj se duhet bërë gjithçka që ta kapim këtë shans, i cili pak a shumë është në favor të Kosovës. Por, nuk besoj se Kosova është në atë gjendje sa të pranojë çfarëdo paqeje. Duhet të pranojmë vetëm atë paqe e cila është në interesin e Kosovës dhe të rajonit”, thotë ai.
Intervista e plotë e Albanian Post me Bajram Kosumin, ish-kryeministër i Kosovës dhe Rektor në Universitetin e Gjilanit:
Albanian Post: Zoti Kosumi, jeni ndër organizatorët e demonstratave studentore të marsit-prillit të vitit 1981. Si e vlerësoni pas 42-vjetësh atë Lëvizje që shkundi idilin “e suksesit” të komunizmit titoist, a u dëmtua mëvetësia (autonomia sipas Kushtetutës së 1974) siç e proklamonin komunistët kosovarë atëbotë apo thjesht iu hoq maska një regjimi kundër shqiptarëve?
Kosumi: Viti 1981 është një nga vitet themeltare në historinë e re të Kosovës. Aty filloi një revolucion, i cili përfundoi në vitin 1999, me dëbimin e Serbisë nga Kosova. Politika jugosllave ndaj Kosovës gjithnjë ka qenë si një eksperiment, me shpërfytyrimin në qendër – si qëllim: një kohë janë shtypur thellë, pastaj ka një periudhë më liberale, ndërsa autonomia e Kosovës ka qenë një gotë qelqi në duar të Serbisë gjatë gjithë kohës. Kur ka pasur interesa kreu i Jugosllavisë – e ka zgjeruar autonominë e Kosovës dhe, kur nuk ka pasur interesa – e ka ngushtuar autonominë. Me një fjalë, autonomia e Kosovës është një kështjellë letre e klasës politike të atëhershme të Kosovës, të cilin kështjellë ata mundoheshin t’ia shesin popullit si liri. Fatkeqësisht, të gjitha kanë qenë mashtrime të turpshme, sado brenda asaj kështjelle prej letre ka pasur disa përparime. Më 26 mars 1981, kur hynë njësitë speciale të Federatës Jugosllave në konviktet e studentëve, u çirr maska e kësaj politike, e kësaj autonomie dhe e kësaj klase politike.
Albanian Post: Ju keni vuajtur 10-vjet burg nga 15 sa ishit dënuar më 1981. Ishit tre vëllezër në burg dhe padyshim me brengën për familjen pa punë e të ardhura. Si ia dolët dhe a u ndihmua familja juaj nga ndokush?
Kosumi: Po, neve na dënuan skajshëm. Mua 15 vjet burg, vëllain tim Musliun 10 vjet burg, ndërsa vëllain e vogël Nuhiun e morën disa herë në hetime dhe në tortura, por nuk mundën ta dënojnë. Vëllain e madh Muharremin, profesor i letërsisë në gjimnazin e Kamenicës, e thërrasin në Komitetin Komunal të Lidhjes Komuniste, e përjashtojnë nga puna, dhe i thonë: kah është kufiri Jugosllav, ti dhe familja Kosumi nuk do të punoni kurrë më, nuk do të fitoni para, do të ju lëmë të vdisni urie, që të shohin të tjerët se nuk duhet luftuar shteti jugosllav. Dhe, vëllain më të vogël, Sadikun, sapo e kalon provimin pranues në fakultetin e Elektroteknikës, nuk e lejojnë të regjistrohet, për shkak të papërshtatshmërisë morale e politike, si thuhej atëherë.
Në vitin 1981 njerëzit nuk donin të kundërshtonin shtetin jugosllav e serb. Frikësoheshin. Kur të kthehej shteti komunist jugosllav kundër, të shkatërronte me themel. Ka patur plotë njerëz që pas burgosjes sonë, i kanë shkëputur lidhjet me familjen tonë. Fadil Hoxha pati proklamuar atëherë: me armikun – as në dekë e as në dasmë! Por, është edhe pjesa tjetër, ana e mirë e shoqërisë: familjet e të burgosurve janë lidhur ndërmjet tyre, kanë krijuar shoqëri e bashkëpunim, dhe kjo lidhje është rritur vazhdimisht, aq sa në vitet nëntëdhjetë, gjithë populli ndjente për të burgosurit, për njëri tjetrin, e pikërisht kjo ishte parakusht për hapin përfundimtar të fitores, sepse gjithë populli e kuptoi se jetonte në një burg, pa të ardhme.
Albanian Post: A keni besuar sa ishit në burg së Kosova do të bëhej shtet i pavarur ose si e shihnit rrjedhën e ngjarjeve nga prapa grilave?
Kosumi: Në burgjet serbe, ashtu si e thotë Adem Demaçi, është farkuar klasa politike, e aftë për të nisur dhe përfunduar revolucionin e Kosovës. Nëntëdhjetenëntë për qind e të burgosurve politikë, janë kalitur më shumë nëpër burgje, janë avancuar më shumë në idetë dhe në veprimet e tyre patriotike. UCK është krijuar prej këtyre njerëzve.
Atëherë askush nuk e ka paramenduar saktësisht se si do të duket liria e Kosovës, c’formë do të ketë etj., por, të jeni të sigurt se, nëntëdhjetenëntë për qind e të burgosurve kanë besuar se janë në rrugë të drejtë, se janë në rrugën e fitores, se janë në anën e ndritshme të historisë, se janë në anën e humanizmit dhe të lirisë, po, në këto kemi qenë të bindur dhe nuk kemi bërë kompromise.
Kjo do të thotë se ne e përcillnim situatën detajisht, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Jugosllavi, në Shqipëri dhe sidomos ndryshimet historike me rënien e Murit të Berlinit, si prelud edhe për një skenë të re historike në Kosovë e Jugosllavi. Ne nga burgjet shkruanim letra përkrahjeje, organizonim protesta të ndryshme, greva etj., në përkrahje të ngjarjeve të revolucionit në Kosovë. Ishim shumë të lumtur që revolucioni po forcohej gjithnjë.
Albanian Post: Keni qenë pjesë e grevës së urisë (1993) bashkë me Adem Demaçin në “Zëri”, ku ishit gazetar. Si e kujtoni sot?
Kosumi: Gjithçka që ka të bëjë me Adem Demacin e kujtoj më kënaqësi dhe me krenari. Edhe grevën e urisë në Pallatin e Shtypit. Serbia ishte në kulmin e nënshtrimit administrativ e ushtarako-policor të Kosovës, por sa më fortë ata, ne rezistonim aq më fort. Ne ishim të vetëdijshëm se Beogradi do ta merrte Pallatin e Shtypit, por nuk e lëshonim. Le ta marrin me dhunë, por nuk e jepnim vetë.
Të vetmen armë që e kishim, grevën e urisë, e përdorëm maksimalisht. Sa do të dhimbshme, i kujtoj krenari kolegët gazetarë, besimin dhe dilemat e tyre, forcën dhe rraskapitjen e tyre, bisedat që bënim përgjatë atyre ditëve e netëve të furtunës që na kishte përfshirë. Shteti serb e kishte forcën, na e merrte Pallatin e Shtypit, gazetat dhe lirinë e fjalës kur të donte, por ne nuk e dorëzonim dhe besonim se ai që i zgjidh problemet me shpatë, nga shpata do të përfundojë. Millosheviqi dhe paraardhësit e tij na burgosnin e na merrnin me dhunë çdo milimetër të tokës sonë, na sakatonin cdo qelizë të trupit tonë, por sot ata janë humbësit e përjetshëm, ana e turpshme e historisë.
Albanian Post: Jeni emëruar ministër informacioni në Qeverinë e Përkohshme (1999) ose në Qeverinë e Rambouillet, ta quajmë kështu, ngase ishe pjesë e delegacionit kosovar në Konferencën e Rambouillet. Si e vlerësoni sot këtë? Amerikanët e mbajtën fjalën dhe bombarduan Serbinë, Kosova u çlirua porse mbeti protektorat i OKB-së?
Kosumi: Qeveria e Përkohshme e Kosovës, me të drejtë quhet e Rambujesë, sepse aty është zhvilluar ideja dhe marrëveshja për të. Delegacioni i Kosovës përbëhej prej tre grupeve politike dhe të pavarura, prandaj edhe qeveria u kompozua në atë model. Kam qenë në tavolinë, bashkë me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Skender Hysenin kur edhe “krahu i dytë” i Delegacionit të Kosovës, LDK, përkatësisht Ibrahim Rugova, e nënshkroi marrëveshjen për Qeverinë e Përkohshme.
Pak kohë më vonë, në Malet e Gollakut, në Viti të Marecit, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet serbe, dëgjova lajmin e emërimit tim si Ministër i Informacionit Publik. Kam bërë çmos që të funksionojë kjo qeveri gjatë kohës së bombardimeve, kam bërë qindra kilometra këmbë për këtë qëllim, bashkë me disa anëtarë të tjerë të qeverisë, por pa ndonjë sukses të madh.
Një prej arsyeve themelore për mosfunksionimin e saj ishte pozicioni i LDK: edhe pas nënshkrimit të vendimit për formimin e qeverisë së përkohshme, ajo nuk i dërgoi emrat e vet për ministra. Mirëpo, si duket, vetëm ne, disa idealistë të përjetshëm të lirisë e synonim funksionimin e qeverisë edhe gjatë luftës. “Pragmatistët” nuk e synonin.
Çështja e protektoratit, e deshëm apo nuk e deshëm, ka qenë kompromisi i duhur për të orientuar Kosovën kah pavarësia. Në disa raste UNMIK ka punuar në favor të Kosovës, si është rasti me Soren Jesen Petersenin, shefin e UNMIK-ut, dhe ekipin e tij, por nuk ka ndodhur kështu gjatë tërë periudhës para shpalljes së pavarësisë. Ka pasur luhatje brenda UNMIK se kah të shkojë Kosovë, ka pasur obstruksion ndaj procesit të lirisë së Kosovës, dokumenti “standardet përpara statusit” ka qenë një prej këtyre obstruksioneve etj. Por, të gjitha këto janë tejkaluar, në radhë të parë për shkak të bashkëpunimit të ngushtë të klasës politike të Kosovës me qeverinë amerikane dhe me disa shtete të Bashkimit Europian, por edhe për shkak të harmonizimit të qëndrimeve të pozitës e opozitës në çështjet me interes nacional- një leksion ky që nuk e mësuan dot qeveritë e pas shpalljes së pavarësisë!
Albanian Post: Jeni emëruar Kryeministër pas shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë (2005) dhe udhëhoqët procesin “Standardet para statusit” që u monitorua nga Kai Eide, i cili i dha notë pozitive Kosovës. Si e kujtoni këtë? Për çfarë interesohej kryesisht diplomati norvegjez Eide?
Kosumi: Në vitin 2004 dokumenti “standardet përpara statusit” (i cili dukej simpatik, por e bllokonte Kosovën) u shndërrua në dokumentin “standardet dhe statusi”. Ndryshimi është substancial dhe ia hapi perspektivën Kosovës. Qeveria Haradinaj e zuri këtë hap dhe filloi vrullshëm të punojë në këtë drejtim. Pas shkuarjes së tij në Hagë, unë i jam përkushtuar 100% vetëm kësaj çështjeje: arritjes, ngritjes dhe shënjimit të standardeve të domosdoshme për të hapur procesin e bisedimeve për pavarësinë e Kosovës. Çdo vonesë në hapjen e procesit të pavarësisë do të ishte katastrofik. Demonstratat e vitit 2004 janë një dëshmi e padëshiruar për këtë. Prandaj unë, si kryeministër, por edhe ministritë e tjera, edhe qeveritë komunale, por edhe udhëheqësit e tjerë shtetëror, Presidenti Rugova dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci, si dhe opozita në krye me Hashim Thacin, të gjithë jemi fokusuar te standardet për ta hapur procesin e pavarësisë. Ambasadori Kai Aide erdhi me një mandat të qartë nga Sekretari Gjeneral i KS të OKB, z. Kofi Anan, për të vlerësuar se a janë pjekur kushtet për të filluar negociatat për statusin final.
Ditën kur e morëm lajmin, nga kanale diplomatike, se KS e miratoi raportin, erdhën në banesën time një numër i zyrtarëve të UNMIK dhe bashkëpunëtorëve të mi, por edhe ndërkombëtarë, midis tyre edhe zv/shefi i UNMIK-ut, z. Lari Rosin, dhe festuam. Baras me mua festonte dhe gëzohej diplomati i vjetër amerikan, dashamir i madh i Kosovës, Lary Rossin.
Raporti i Kai Eide-s “A comprehensive review of the situation in Kosovo” u miratua në KS në tetor të vitit 2005 dhe me këtë fillon periudha e bisedimeve dhe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Albanian Post: Kosova u bë shtet. A jeni të kënaqur me Kosovën e 17 shkurtit? Çka do të bënit ndër veprimet themelore po të ishe Kryeministër më 17 shkurt, 2023?
Kosumi: Kosova e sotme dhe Kosova e para vitit 1999 është si dita me natën. Tash, kur kthehemi dhe kujtojmë kohën e robërisë, ose shohim dokumentarë të ndryshëm të asaj periudhe, më bëhet e pabesueshme se ne kemi qenë në atë gjendje të mjerë! Sot e shohim me qartë peshën e rëndë të robërisë e të poshtërimit në të cilën kemi jetuar para luftës.
Sot Kosova është shteti më demokratik në rajon, me administratën më të re, më transparente dhe më të pa korruptuar. Dhe, të gjitha këto janë arritur në një koniunkturë ku problemi me Serbinë e pengon Kosovën në çdo hap. A ka mundur të ecim më shpejt përpara? Gjithsesi po. Ne e kemi penguar veten tonë, kryesisht klasa politike e Kosovës, për shkak të interesave grupore, partiake apo individuale, apo edhe për shkak të frustrimeve politike, duke “filluar historinë” nga zeroja, ngjashëm me kompleksin e Rozafatit. Kjo e çorienton shoqërinë tonë, politikën dhe aleatët tanë.
Sot në Republikën tonë nuk është paqja me Serbinë çështja numër një, ashtu si e prezantojnë politikanët dhe të tjerë! Paqja me Serbinë është problemi numër një, po, por ky është një proces politik, i cili do të finalizohet. Çështja numër një është shpirti i qytetarëve, vullneti i tyre, kultura e tyre, edukimi i tyre. Të gjitha këto përmblidhen në një fjalë: shkolla dhe universiteti.
Roli i shkollës dhe universitetit në shoqërinë e sotme është më i domosdoshëm se asnjë herë më parë. Shumëkush e sheh universitetin thjeshtë si një mundësi karriere, por e vërteta është shumë më e thellë: universiteti është rruga më e sigurtë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Asgjë më shumë se universiteti nuk na bën konkurrent në tregun global, duke e ruajtur vetveten tonë. Çdo rrugë tjetër është më e pasigurtë dhe e dështuar. Vetëm universiteti dhe nivelet e tjera të shkollimit mund të na bëjnë mendjehapur pa e zhbërë vetveten në proceset e sotme të dinamizmit teknologjik e të globalizmit.
Albanian Post: Për një pjesë të konsiderueshme të kosovarëve, sot pjesëtarët e luftës çlirimtare shihen vetëm si struktura të korruptuara. Për më tepër, sot liderët kryesorë të saj po mbahen në burg, në Hagë. Çfarë pasoja mund të sjell kjo?
Kosumi: Menjëherë pas luftës ka pasur një fushatë të gjerë kundër pjesëtarëve të UCK, me akuza për korrupsion, uzurpime etj. Sigurisht që ka pasur edhe shembuj të tillë, por shumica absolute e pjesëtarëve të UCK kanë qenë, kanë vazhduar dhe janë edhe sot pjesa më e ndershme e shoqërisë sonë. Besoj, gjithmonë ka pasur këtu një gisht të shërbimeve të fshehta të shteteve që nuk e duan Kosovën, ashtu sikur përhapet një fushatë mosbesimi në aftësinë shtet ndërtuese të shqiptarëve dhe të klasës politike të Kosovës.
Disa nga udhëheqësit e UCK po mbahen padrejtësisht në burg. Ka një synim që çdo krim që është bërë në Kosovë nga forcat serbe, t’i vishet UCK, dhe sipas përgjegjësisë hierarkike, t’u vishet udhëheqësve që janë në burg. Kjo nuk është e drejtë as e vërtetë. UCK ka qenë një strukturë vullnetare dhe, si e tillë, përgjegjësia komanduese nuk ka funksionuar si në ushtritë e rregullta. Shpresoj që gjykata të gjykojë paanshëm.
Albanian Post: A keni drojë se Qeveria Kurti mund të përplaset me aleatët e Kosovës apo mendoni se do të arrihet Marrëveshja me Serbinë këtë vit? Me Asociacionin brenda saj?
Kosumi: Shteti i Kosovës është produkt, sa i shqiptarëve, edhe më shumë i aleatëve tanë, në radhë të parë SHBA-ve. Është në interesin tonë jetik ecja përpara me mbështetjen e SHBA-ve. Ky është fati i shteteve të vogla, i kombeve të vogla, edhe i atyre që janë disa herë më të fuqishëm se Kosova, si Shqipëria, Kroacia, madje edhe i vetë Gjermanisë. Prandaj, çdo lider i Kosovës duhet ta ketë parasysh këtë fakt. Besoj edhe qeveria Kurti e ka parasysh.
Arritja e paqes me Serbinë ka një shans të ndodhë në këtë vit, për shkak të ndryshimit radikal të gjendjes në Europë e në botë, pas luftës së padrejtë të Rusisë n Ukrainë, e cila ka rrezik të përshkallëzohet dhe të zgjerohet. Besoj se duhet bërë gjithçka që ta kapim këtë shans, i cili pak a shumë është në favor të Kosovës. Por, nuk besoj se Kosova është në atë gjendje sa të pranojë çfarëdo paqeje. Duhet të pranojmë vetëm atë paqe e cila është në interesin e Kosovës dhe të rajonit.
Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është detyrim kushtetues, por kryeministri Kurti dhe opozita me të drejtë kërkojnë që ky asociacion të jetë pjesë e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi. Kjo është çështje e ligjësisë së procesit, ndryshe do të krijohej një proces i degraduar paqeje, i cili do ta sillte në tavolinë, më vonë, edhe një kërkesë tjetër të Serbisë, e cila do ta dëmtonte Kosovën. Por, për ta realizuar këtë, pozita dhe opozita e Kosovës duhet të harmonizohen rreth kësaj teme. Kryeministri Kurti duhet të iniciojë dhe të mbajë një sërë takimesh me liderët e opozitës, për t’u harmonizuar për çështjet me interes nacional, pavarësisht garës politike për vota. Edhe më shumë duhet bërë kjo me administratën e Bajdenit dhe me aleatët europian e me Mbretërinë e Bashkuar: nuk duhet aleatët tanë më të rëndësishëm të “surprizohen” me veprimet e qeverisë sonë, sepse fundja, disa nga këta aleatë kanë kontribute në krijimin e shtetit të Kosovës!
Albanian Post: Si ligjërues shumëvjeçar i gazetarisë dhe gazetar veteran, a na thoni se cili është sot ky profesion? Shtypi doli nga historia ndërsa hyri në histori gazetaria online e bashke më të edhe Lajmet e rreme?
Kosumi: Gazetaria moderne është sa përfituesja aq edhe viktima më e madhe e teknologjisë digjitale dhe internetit. Është përfituese sepse, informimi jo vetëm është decentralizuar, de-shtetëzuar dhe de-biznesuar, poende, informimi depërton në çdo cep të botës dhe te çdo njeri. Gazetaria e internetit dhe e rrjeteve sociale e ka humanizuar shoqërinë njerëzore më shumë se çdo ideologji, çdo politikë e çdo fe. Kjo është një shfaqje madhështore në historinë e këtij civilizimi.
Por, në përputhje me natyrën e medias, kjo ka edhe anën e zezë: po humbet tmerrësisht shumë besimi te gazetaria, dhe më keq, njerëzit po viktimizohen nga forma të skajshme të gazetarisë. Këtë fakt e shoh me shumë drojë. Duke diskutuar me studentët e gazetarisë për retorikën, gjithmonë ua vë një paralele midis shuarjes së retorikës në periudhën e sofistëve dhe ringjalljen e saj, pas rreth dy shekujve, nga Aristoteli. Druaj se dhe gazetaria mund të ketë një fat të tillë, vetëm se tash, jo të shuhet, por të shndërrohet tërësisht apo në pjesën më të madhe – në biznes, ashtu si është duke ndodhur tash me rolin e klikimit në gazetarinë sociale. Me këtë, pjesa e pafuqishme e shoqërisë do ta humbas aleatin më të madh -gazetarinë, pasi gazetari shndërrohet në biznes, ndërsa shoqëria njerëzore do të humbiste një prej shfaqjeve më të shenjta të historisë së vet. Uroj të ecet në tjera rrugë!