Uncategorized

Historia misterioze e “Colonia Dignidad”


Thellë në ultësirën e Andeve të luginës qendrore të Kilit jeton një grup i të huajve gjermanë, anëtarët e një eksperimenti utopik të quajtur “Colonia Dignidad”.

Ata kanë banuar atje për dekada, të ndara nga komuniteti përreth tyre, por të njohur dhe admiruar gjerësisht, dhe të respektuar për pastërtinë, pasurinë dhe etikën e tyre të punës.

Toka e tyre shtrihet në 70 milje katrore, duke u ngritur butësisht nga toka bujqësore të ujitura në kodra të ulta, të pyllëzuara, në sfondin e maleve të mbuluara me dëborë.

Sot “Colonia Dignidad” është pjesërisht e integruar me pjesën tjetër të Kilit, pasi që dekada me radhë, ajo ishte plotësisht e izoluar.

Lidhja e saj e vetme me botën e jashtme ishte një rrugë e gjatë e dheut që përshkonte nëpër ferma pemësh dhe fusha me grurë, misër dhe fara soje, e që kalonte përmes një porte të mbrojtur dhe çonte në qendër të pronës, ku gjermanët jetonin në një stil bavarez  – fshat me kopshte lulesh, burime uji dhe ndërtesa me ngjyrë krem ​​me çati me pllaka portokalli.

Fshati kishte komplekse moderne apartamentesh, dy shkolla, një kishë, disa shtëpi takimesh dhe një furrë buke që prodhonte ëmbëlsira të freskëta, bukë dhe djathëra.

Kishte stalla të shumta kafshësh, dy shirita zbarkimi, të paktën një aeroplan, një hidrocentral dhe mullinj e fabrika të llojeve të ndryshme, duke përfshirë një fabrikë zhavorri mjaft fitimprurëse që furnizonte lëndë të para për projekte të shumta ndërtimi rrugësh në të gjithë Kilin.

Në anën veriore të fshatit ishte një spital, ku gjermanët siguruan kujdes falas për mijëra pacientë në një nga zonat më të varfra të vendit.

E gjithë kjo u bë e mundur nga një njeri, një predikues karizmatik, me emrin Paul Schaefer, i cili themeloi komunitetin e këtij vendi.

Njerëzit që jetonin brenda kësaj kolonie ishin të veshur me rroba tradicionale fshatare gjermane – burrat me pantallona leshi dhe gratë me veshje shtëpiake e shami.

Pak njerëz të huaj kanë arritur të futen brenda kësaj kolonie, përgjatë kohës kur në krye të saj ishte Schaefer.

Pamjet nga ajo kohë regjimi janë të rralla, madje po thuajse vetëm një lajm i vjetër kilian, përfshin filmimime të realizuara me ftesë të Schaefer në vitin 1981.

Pamjet e rralla shfaqin një pamje interesante të jetës brenda komunitetit, një utopi në lulëzim të plotë dhe të lumtur.

Një shkrim i një gazetarje amerikane, Bruce Falconer, tregon eksperiencat e saj pas vizitës në “Colonia Dignidad”, të zhvilluar një çerek shekulli më vonë, prej kur Schaefer, ishte në krye të këtij vendit.

Sipas, Falconer, fshati mbetet një oaz i frymës gjermane, me kopshte lulesh dhe copa të shelgjeve e pishave të përkryera, por rrugëve të tij kishte pak njerëz, dhe shumica nga ta ishin të mirë sjellshëm por nuk jepnin detaje rreth jetesës së tyre brenda këtij vendi.

Hetimet nga “Amnesty International” dhe qeveritë e Kilit, Gjermanisë dhe Francës, si dhe dëshmia e ish kolonëve të cilët, me kalimin e viteve, arritën të shpëtonin nga kolonia, kanë zbuluar prova të krimeve të tmerrshme si: keqtrajtimi i fëmijëve, puna e detyruar, trafiku i armëve , pastrim parash, rrëmbime, tortura dhe vrasje.

Të gjitha këto të realizuara nga Paul Schaefer dhe rrethi i tij i ngushtë i togerëve të besuar, shumica e abuzimit u drejtua fillimisht nga brenda si një mjet për të kushtëzuar kolonët për t’iu bindur urdhrave të Schaefer.

Më vonë, pasi ekipa ushtarake e Gjeneral Augusto Pinochet, mori pushtetin në Kili, dhuna u derdh në skenën kombëtare.

Schaefer, përmes një aleance jozyrtare me regjimin Pinochet, lejoi “Colonia Dignidad” të shërbente si një qendër torturash dhe ekzekutimesh për shkatërrimin e armiqve të shtetit.

Vite më parë policia kishte gjetur dy depo të mëdha armësh të shkallës ushtarake të varrosura brenda kompleksit.

Ata po ashtu kishin zbuluar pjesë të makinave, përfshirë targat identifikuese të automjeteve, e edhe disidentët politik të zhdukur.

Brenda kësaj kolonie nga njësia e forenzikes policore janë zhvilluar edhe gërmime mbi dyshimet për një varr masiv me mbetje të dekompozuara të dhjetërave të burgosurve politikë.

Colonia Dignidad e përjetësoi veten përmes një sistemi kompleks të kontrolleve sociale.

Ata menduan për veten e tyre si një familje të gjerë të bazuar jo në gjak, por në përkushtim absolut ndaj Schaefer.

Ata e quanin, Schaefer, “Xhaxhai i Përhershëm”, një epitet i përzgjedhur nga vet ai.

Ai i “ofroi” atij komuniteti mundësinë e një ekzistence të pastër në shërbim të Zotit, ndërsa gjithçka që kërkohej ishte rrëfimi i rregullt i mëkatit.

Ndjekësit e tij u treguan të etur për të shkarkuar fajin e tyre dhe rrëfimi – i marrë personalisht nga Schaefer në një praktikë që ai e quajti “Seelesorge”, ose “Kujdesi për shpirtin” – u bë mjeti për shpëtimin e tyre.

Banorët i rrëfyen atij në një mori mëkatesh, prandaj Schaefer, filloi t’i thërriste ata në grupe të vogla çdo ditë për të diskutuar mëkatet e tyre.

Këto rrëfime ishin publike dhe u dëgjuan në drekë e në darkë, ndërsa të dielave, i gjithë komuniteti mblidhej për lutje dhe rrëfim në një sallë takimesh ngjitur me shtëpinë e Schaefer.

Brenda këtij komuniteti, njerëzit ishin të ndarë në grupe sipas moshës dhe gjinisë, secili me flamurin dhe shenjat e veta.

Një djalë i lindur brenda Colonia do të kalonte vitet e para të jetës jo me prindërit e tij (të cilët vetë jetonin larg njëri-tjetrit) por me infermieret në spital si një nga “Bebet”.

Në gjashtë vjeç, ai do të diplomohej në një grup të quajtur “The Wedges” dhe prej andej, do të vazhdonte deri në moshën 15 vjeç, ku do ta kryente “Ushtrinë e Shpëtimit”.

Nga mesi i të 30-ve, ai do të bëhej një nga “Shërbëtorët e Pleqëruar”, një status që do të ruante derisa, në moshën 50 vjeç, të ishte gati të bashkohej me “The Comalos”, një term që nuk ka ndonjë kuptim të qartë.

Vajzat përparuan përmes një serie të ngjashme grupesh, duke përfshirë “Dragons”, “Grupin e Grave” si dhe “Grannies”

Anëtarët e grupit jetonin së bashku, gjashtë persona ose më shumë në një dhomë, në ndërtesa të tipit konvikt.

Ata kishin pak pasuri individuale: pizhame, disa rroba pune, një sasi rrobash të kohës së lirë dhe furnizim një javë me të brendshme. Çdo gjë tjetër, përfshirë këpucët e tyre, mbaheshin të mbyllura në një dollap.

Çdo mëngjes, kolonët mblidheshin me grupet e tyre përkatëse në kafene për një mëngjes me qumësht dhe bukë me pelte. Ndërsa, burrat angazhoheshin në blegtori, fabrika dhe dyqane artizanale, kurse gratë në shtëpinë e pulave, stalla dhe kuzhinë.

Çdo ditë në drekë dhe darkë, anëtarët e komunitetit pritej të shkruanin emrat e mëkatarëve në një dërrasë të zezë afër hyrjes në kafene.

Pasi të gjithë ishin ulur, Schaefer do të zinte vendin e tij në një tavolinë të vogël përballë grupit dhe, ndërsa miqtë e tij hanin, ai do të lexonte përmes një mikrofoni emrat e shënuar në tabelë.

Secilit mëkatar i kërkohej të ngrihej në këmbë dhe të rrëfehej, ndërsa mohosh keq bërjen ishte një shkelje e madhe.

Sipas mësimeve të Schaefer, gratë ishin tunduese seksualiteti i të cilëve, nëse ishte i pakontrolluar, do t’i nxirrte burrat nga dëshira dhe do t’i çonte ata të largoheshin nga Zoti.

Schaefer e konsideroi marrëdhënien seksuale një “mjet të Djallit”.

Gratë jetonin dhe punonin të ndara nga burrat. Ato vishnin fustane të shëmtuar shtëpie, aq të gjera sa pothuajse asnjë gjurmë e formës femërore nuk mbeti e dukshme.

Por edhe atëherë, burrat dhe gratë gjetën mënyra për tu bashkuar. Ata ende ndienin epsh dhe ranë në dashuri.

Ndonjëherë, Schaefer, i lejonte çiftet të martoheshin dhe, herë pas here, të kishin fëmijë.

Ditët ishin produktive, derisa Schaefer i nxiti kolonët e tij për sakrifica të drejta, duke recituar shpesh fjalët “Arbeit ist Gottesdienst” (“Puna është shërbim hyjnor”).

Banorët punonin 12 orë në ditë, shpesh dhe më gjatë, dhe kishin një pushim të shkurtër për drekë.

U konsiderua si një pikë krenarie që ata nuk prisnin asnjë pagesë për punën e tyre, por e dhanë atë me dëshirë për të mirën e komunitetit.

Suksesi i tyre me industrinë dhe bujqësinë siguroi mjetet financiare të nevojshme për të ushqyer misionin e tyre filantropik.

Brenda “Kolonisë Dignidad” zhvilloheshin dënime dhe krime të tmerrshme, ndërsa arratisja ishte pothuajse e pamundur.

Themeluesi i këtij komuniteti, Paul Schaefer, ka vdekur në vitin 2010, teksa ishte i burgosur në një burg me siguri maksimale, në Santiago.

Mbi të rëndonin akuza të ndryshme të tilla si; keqtrajtim i fëmijëve, abuzim seksual i grave, kontrabandë armësh e të tjera.

Ndryshe, sot brenda këtij fshati më nuk ka kufizime, banorët mund të hyjnë dhe të dalin kur të duan, por ata akoma qëndrojnë të “strukur”, kur bëhet fjalë për të kaluarën e “Colonia Dignidad”.

Albanianpost.com


Lajmet kryesore