Lajme

Hiperkulla e re në Dubai, rrokaqielli më i lartë rezidencial në botë


Binghatti Properties ka njoftuar projektin e ri tejet ambicioz.

Hiperkulla do të jetë kompleksi rezidencial më i lartë në botë.

Do të jetë një projekt i aftë për të “rishkruar historinë e arkitekturës dhe dizajnit dhe do të revolucionarizojë plotësisht peizazhin urban të Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Lartësia përfundimtare nuk është zbuluar ende nga arkitektët, por të gjithë janë mjaft të sigurt se do të thyejë rekordin e Kullës Central Park të New York-ut, ndërtesë e cila me 99 katet e saj aktualisht mban titullin e rrokaqiellit më të lartë në botë.

Kurse në Emirate, ndërtesa më e lartë deri më tani ka qenë Kulla e Princeshës, 393 metra.

Po ashtu edhe në Dubai është struktura më e lartë, pavarësisht nga kategoria e saj. Burj Khalifa i inauguruar në vitin 2010, me 163 kate dhe 829.8 metra lartësi, është dyfishi i lartësisë së strukturave që synojnë apartamente private.

Shenja më karakteristike e ndërtesës së re do të jetë maja e saj e strukturuar si një grup elementësh të përsëritur në formë diamanti, një kurorë që dëshiron të zbukurojë dhe kurorëzojë rrokaqiellin si “mbret i botës”.

Një ambicie tipike kjo e arkitektëve arabë, të cilët i përgjigjen shkëlqimit që është ndjekur gjithmonë nga sheikët e këtyre konteksteve urbane.

Fotot e para të ndërtesës që do të shënojë një epokë të re për Dubain dhe arkitekturën botërore në të ardhmen u shfaqën nga sipërmarrësit që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

Një takim i shumëpritur, për hapjen e një kantieri që do të zgjasë disa vite.

Sipërmarrësit nuk e fshehën entuziazmin e tyre, duke nënshkruar fillimisht marrëveshjen gjatë konferencës për shtyp dhe duke deklaruar se projekti do të jetë “një hap tjetër domethënës dhe një shembull për të gjithë botën”.

Një revolucion i madh në dizajn, diçka që nuk është parë kurrë më parë, sipas tyre.

Ajo që do të jetë një kurorë shumë e lartë kristali, e zbukuruar me elementë arkitekturorë të çmuar si gurët e çmuar, do t’i japë qytetit një fytyrë të re, të forcuar nga ndërdisiplinariteti i përbërësve.

Pamja panoramike nga brenda dhe si do të dallohet nga jashtë kompleksi i ri dëshiron të jetë një nga simbolet e reja të emiratit, i aftë për t’i dhënë kontekstit urban një manifestim të mëtejshëm fuqie.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore