Shqipëria

Hillary Clinton vlerëson me çmimin ‘Pioneri Global’ kryeministrin Edi Rama


“Një çmim për njerëz të mirë që mbështesin të tjerët”.

Kanë qenë fjalët e ish-sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, e cila i ka dorëzuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, çmimin “Pionieri Global”, për rolin që ai ka pasur në mbrojtje të shtetaseve afgane.

Më tej, Clinton në cermoninë e mbajtur në New York, teksa ka shqiptuar emrin e tij, ka shprehur vlerësim për numrin një të Qeverisë shqiptare.

“Udhëheqja e tij ishte emblematike, pasi hapi dyert, atëherë kur askush nuk e bëri”.

Ish-sekretarja nuk i ka ndalur me kaq elozhet kundrejt politikanit shqiptar. Ajo ka shprehur haptas admirimin që ka për figurën e tij.

“Dua të prezantoj dikë”, teksa e ka ftuar Ramën drejt skenës për të marrë çmimin në emër të organizatës “Vital Voices”, “të cilin unë e admiroj dhe që kam pasur fatin ta njoh, karrierën e të cilit e admiroj”.

Sipas Hillary Clinton, Edi Rama “veç me një instikt”, e kuptoi sesa me rëndësi është fakti që ai u shtriu dorën grave në nevojë dhe u hapi dyert e “shtëpisë së tij”.

“Falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 mijë të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri”, tha ajo.

Shpëtimi i afganëve nga talebanët u mundësua nga “Vital Voices”, i cili është një fondacion i themeluar nga dy ish-sekretaret e Shtetit në SHBA, Hillary Clinton dhe Madeleine Albright.

Në këtë ceremoni nderuese, sipas Clinton, i është dhënë mundësia për ta falënderuar edhe publikisht kryeministrin për ndihmën e pakursyer.

Hillary ka risjellë në vëmendje çastin kur – pas mbërritjes së afganëve në Shqipëri – kishte telefonuar Edi Ramën për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm.

“Modest”, sipas saj, ai i ishte përgjigjur “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë?!”.

Për ish-zonjën e parë, vendimi i Ramës qe një frymëzim dhe shembull për liderët e tjerë.

Mes emocionesh, teksa është ngjitur në podium, Rama është shprehur se, përtej ndjenjës së modestisë, “ndihem edhe i sëkëlldisur”.

Sepse – për të – çmimi është një gjë mbresëlënëse.

Kryeministri e ka cilësuar diçka të çuditshme që sot vlerësohet për një gjykim bazik të arsyeshëm, siç ishte pranimi i afganëve.

Komenti si “Rama hero” nuk u pranua nga kryeministri, pasi sipas tij, “nuk është akt heroizmi që të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin”.

Për numrin një të Qeverisë, heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por shpëtuan hebrenjtë.

Çmimi “Pionieri Global” është marrë më herët nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, General Antonio Guterres, dhe presidenti Joe Biden.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore