Hill: Vuçiç-i është partneri ynë, shtrohet pyetja nëse është edhe Kurti
Ambasadori i Shteteve te Bashkuara te Amerikes ne Serbi, Christopher Hill.
Dini Fetahu
08.06.2023 18:43Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se “pyetja është nëse SHBA-të mund të llogarisë në kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si partner”, duke shtuar se “nuk mban mend ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Ndërsa, theksoi se “Serbia është partneri ynë”.
Këto komente ai bëri pasi komentoi propozimet e të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që ia paraqiten Prishtinës dhe Beogradit për de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.
“Mendoj se kemi një problem me Kurtin, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse mund të llogarisim tek ai si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka thënë Hill.
Sa i përket de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, ai potencoi se “de-përshkallëzimi është thelbësor dhe mendoj se kemi pasur njëfarë suksesi në këtë çështje gjatë dy ditëve të fundit”.
“Ka de-eskalim, sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga BE-ja dhe SHBA-ja është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Është shumë e rëndësishme që policia speciale të tërhiqet nga ndërtesat komunale. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment”.
“Dhe pyetja e tretë, pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se është i rëndësishëm formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili ende është problem për Kurtin. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme”, shtoi ai.
I pyetur se cilat do të ishin pasojat për mos zbatimin e kërkesave të ShBA-së, madje është pyetur edhe nëse raportimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, mund të shpallen persona “non grata”, ai theksoi se nuk e di nëse një gjë e tillë është e vërtetë.
“Nuk e di nëse është faktike, do të duhet të shihni se cilat janë burimet e tyre. Nuk jam në gjendje të komentoj këto akuza”.
Por, si sanksione ndaj Kosovës ai përmendi një shembull konkret.
“Për shembull, kur një gjeneral i lartë amerikan vizitoi Serbinë, ne i thamë Kosovës se nuk do ta zbatojmë stërvitjen ushtarake që kishim planifikuar”, duke iu referuar përjashtimit të Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender 23”.
Tutje, Hill potencoi se për pasojat e mundshme ndaj Kosovës kryeministri Kurti është informuar “plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë (Jeffrey Hovenier), Lajcak dhe Escobar”.
“Do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner”, tha ai, duke shtuar se “nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet Prishtinë-Uashington”.
Nga ana tjetër, ai pohoi se tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “ne llogarisim tek ai si një partner i mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces”, duke iu referuar situatës së krijuar në Veri të Kosovës.
“Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të de-përshkallëzuar situatën dhe shohim që tashmë po zbatohet. Kjo është shumë pozitive. Isha i pranishëm në bisedimet (me Escobar-in, Vuçiç-in dhe Lajçak-un) dhe mund t’ju them se ato shkuan përtej krizës aktuale në Kosovë”.
“Mendoj se ka një mirëkuptim me autoritetet në Serbi se si të ecim përpara, t’i bëjmë gjërat së bashku, shpresoj që edhe populli i Serbisë do të kuptojë se ne duam të bashkëpunojmë shumë më tepër politikisht, ekonomikisht, në fushën e sigurisë – kjo është pse gjenerali Hawkinson ishte këtu (Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së)”.
Gjithatu, Hill bëri me dije se “ne jemi shumë të interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë – të paktën aq sa janë të interesuar njerëzit dhe qeveria në Serbi për të”.
“Ne e ndjejmë se Serbia po bëhet një partner gjithnjë e më i mirë për ne”.