Lajme

Hill për sulmin terrorist: Ngjarje tragjike – të vazhdohet me procesin politik


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, e ka konsideruar si “ngjarje tragjike” sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka shtuar se duhet që të vazhdohet me proces politik.

“Ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës dhe gjithmonë mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik”, ka thënë Hill, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

“Po zhvillohen procese për të inkurajuar dialogun”, pohoi Hill në debatin publik të organizuar në Beograd “Mjedisi i ndryshuar gjeopolitik dhe sfidat ndaj rendit juridik ndërkombëtar”.

Hill vlerëson se procesi diplomatik duhet “të forcohet në ditët dhe javët në vijim”.

“Kjo situatë po trajtohet shumë seriozisht dhe po zhvillohen diskutime të shumta se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmerren”, shtoi.

Sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Nga ky sulm terrorist nuk është distancuar Serbia, madje ata kanë shpallur 27 shtatorin ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Sipas mediumit boshnjak Istraga.ba, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.

Policia publikon pamjet: Radojiçiç ishte një nga të ngujuarit brenda manastirit në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore