Shqipëria

‘Hija’ e një regjimi përndjekës


Ndonëse ka 30 vite që është përmbysur, “hija e saj” vazhdon ta ndjekë nga pas.

“Komunizmi në Shqipëri është ndër sindromat më negative që i ka lënë trashëgimi sistemit politik”, shprehet politologia Fiona Lalaj për Albanian Post (AP).

Në vijim, Lalaj thotë se “Është vullneti për t’iu nënshtruar autoritetit, konformizmi me përqendrimin e pushtetit, pjesëmarrja fiktive në qeverisje, pavetëdije për fuqinë dhe lirinë individuale, si dhe paaftësi në ndërtim institucionesh në termat e një kontrate sociale”.

Kuptimi i demokracisë si normë e pushtetit, shoqërisë dhe jetesës e bën të qartë se sa e rëndësishme është “kultura e demokracisë“, e cila manifeston përditshmërinë, thotë politologu gjerman, Gerhard Himmelmann,

Duke e parë në këtë këndvështrim, sociologia Erisa Aliaj për AP-në shprehet se shoqëria shqiptare karakterizohet nga “gjaknxehtësia”.

“Nuk mendoj që e njohim sa duhet, për sa kohë akoma nuk jemi gati të zbatojmë parimin themelor të demokracisë. Ne nuk dimë ende të respektojmë të drejtën dhe lirinë e tjetrit“.

Demokracia është një regjim apo sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejtë ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë liri a të drejta të barabarta.

E drejta dhe mundësia, që u jepet anëtarëve të një kolektivi a tërë popullit, për të thënë fjalën lirisht për të gjitha çështjet politike, shoqërore etj.

Duke shtuar se termi “demokraci” te shqiptarët zëvendësohet lehtësisht me termin “postdiktaturë”.

Por politologia Lalaj, për sa i përket respektimit të parimeve demokratike, thotë se ligjet, parimet, normat ekzistojnë formalisht, ndonëse nuk respektohen efektivisht.

“Në zonën gri, ku stacionohen Demokracitë e Mjegullta (jofunksionale) sjellin deficit demokratik. Këtë e ka përforcuar negativisht mungesa e ndëshkueshmërisë juridike, por edhe në nivel vetëdije sociale është zhvilluar shumë toleranca në raport me abuzimin”.

Shoqëria demokratike mund të duket e ndërlikuar, ku pritet që qytetari do të marrë vendimin për të vepruar.

Aliaj, rolin e shoqërisë në Shqipëri, e krahason me një vajzë të ardhur nga zonat rurale për të jetuar në kryeqytet.

“E rritur duke shtypur ëndrrat dhe dëshirat e saj, me frikën se po t’i shprehë ato, do të etiketohej si e dalë mendsh. Në kryeqytet, ajo shikon vendin e ëndrrave për të jetuar e lirë, pa qenë e detyruar ta ndrydhë veten. Por, kur vjen dhe fillon ta jetojë, lind lufta më e madhe për të. Ky dualizëm vjen si pasojë e paaftësisë së vajzës për t’u përshtatur me ndryshimin. S’do mend se këtu vajza është Shqipëria dhe metropoli demokracia“.

Ndërsa Lalaj shprehet që, të funksionojë demokracia, komuniteti duhet të jetë i fortë.

“Komuniteti duhet të ndërtojë infrastrukturën e mikrodemokracive, e cila mbështet makrodemokracinë si superstrukturë”.

Demokracia në Shqipëri

Sipas Indeksit të Demokracisë 2020, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka përmirësuar statusin e vet demokratik.

Shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Njësisë së Inteligjencës “Economist”, kanë pasur rënie të demokracisë.

Duke marrë shkas nga kjo, politologia Lalaj shprehet se te shqiptarët, për sa u përket zgjedhjeve, vullneti i qytetarit është i deformuar.

Sipas saj, kjo sjell uljen e legjitimitetit në zgjedhje.

“Sjellja e votuesve është e polarizuar mes dy skajeve, aktivizimit, mobilizimit të militantëve dhe apatisë. Mungesa e gjithëpërfshirjes sjell si pasojë mungesën e llogaridhënies në axhendën qeverisëse dhe minon besimin qytetar, i cili do të duhej të përkthehej në përgjegjshmëri”.

Ndërsa Aliaj sjelljen e votuesve e lidh përsëri me “vajzën rurale”, problemi i së cilës është të bëjë zgjedhjen e duhur, në kohën e duhur.

“Ne, si popull, na karakterizon pak të qëndruarit në zonën e komfortit dhe frika për të eksploruar zgjidhje të reja. Nëse nuk kuptojmë se, paaftësia në zgjedhje nuk është zgjidhje, do të humbasim çdo mundësi zgjidhjesh për të dalë nga situata në të cilën ndodhemi“.

Politologia Lalaj thotë se në Shqipëri flitet për pushtet dominant.

Sipas saj, përkthehet në një treg të lirë, i cili nuk ka konkurrueshmëri.

“Perceptimi e fokusi bazohet te lideri e kulti i tij dhe jo te partia, anëtarët, strukturat, strategjitë, programet shpeshherë të munguara janë thjesht zgjatime të tij”.

Shqipëria është ende nën mesataren rajonale në kategorinë “pjesëmarrje politike”, me vetëm 4.44 pikë.

Situata përmirësohet, pasi vendi ynë ka normën mbi mesataren për “kulturën politike”, me 6.25 pikë.

Sipas Aliajt, shkollimi sjell një dritare për t’i parë gjërat më qartë.

“Problemi qëndron se me çfarë përballemi ne përtej asaj dritareje. Nuk mjafton një dritare për të ndriçuar gjithë hapësirën, por të paktën na lejon të shikojmë se drita ekziston”.

Megjithëse kanë kaluar 30 vjet nga përmbysja e regjimit totalitarist, shumë koncepte të demokracisë, që janë baza e kulturës politike në shoqërinë evropiane drejt së cilës duam të shkojmë, vazhdojnë të qëndrojnë ende larg mentalitetit të shoqërisë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore