Lajme

Hezbollah godet Izraelin me 320 raketa, ky i fundit përgjigjet duke goditur 40 shënjestra


Një seri sulmesh të adresuara nga Libani ndaj Izraelit, me qindra raketa të hedhura, ka bërë që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të nisin një kundërpërgjigje të shpejtë, duke goditur rreth 40 shënjestra në territorin libanez, ku drejton grupimi militant Hezbollah.

Sipas këtyre të fundit, mbi 300 raketa janë lëshuar drejt Izraelit, në një sulm të paralajmëruar prej kohësh, si pjesë e parë e një përgjigjeje ndaj vrasjes së liderit të grupimit palestinez Hamas, Ismail Haniyeh.

Këto raketime kanë shkaktuar vetëm një të plagosur, nga sa mësohet aktualisht.

Nga ana tjetër, raketimet e Izraelit në Liban kanë shënuar një viktimë dhe plagosur disa të tjerë.

Hezbollah tha se operacioni ushtarak i së dielës ishte “përfunduar” për ditën, pasi kreu një breshëri sulmesh me dron dhe raketa kundër objektivave ushtarake në veri të Izraelit në mëngjesin e hershëm.

Grupi libanez mohoi se sulmet parandaluese të Izraelit, të nisura pak para sulmit të tij, kishin ndikuar në operacionin e tij.

“Pretendimet e armikut për veprimin parandalues ​​që kreu, objektivat që goditi dhe përçarjen e sulmit të rezistencës [Hezbollahut], janë boshe”, thuhej në deklaratën e Hezbollahut. Aty shtohej se të gjithë dronët u nisën siç ishte planifikuar “drejt objektivave të dëshiruar”.

Hezbollah tha se sulmi i tij ishte po ashtu në hakmarrje për vrasjen e komandantit të saj të lartë ushtarak, Fouad Shukur, nga Izraeli një muaj më parë. Ai goditi 11 objekte ushtarake në veri të Izraelit me dronë dhe më shumë se 320 raketa.

Për t’iu kundërvënë sulmeve, Izraeli kreu dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Libanin jugor të dielën në mëngjes, duke vrarë të paktën një dhe duke plagosur katër të tjerë.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tha se rreth 100 avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite ishin përfshirë në sulmin dhe shkatërrimin e “mijëra” platformave të lëshimit të Hezbollahut në Libanin jugor.

Ai tha në një postim në X (përkthyer këtu nga hebraishtja):

Shumica e tyre ishin të drejtuara drejt veriut dhe disa drejt qendrës së vendit. Gjithashtu, mbi 40 vende lëshimi u sulmuan.

Grupi libanez njoftoi më tej se sekretari i tij i përgjithshëm, Hassan Nasrallah, do të mbante një fjalim së shpejti, pa specifikuar datën.

Një fjalë të shpejtë reaguese e pati edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një deklarate për shtyp.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur vendin tonë, për t’i kthyer banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre dhe për të vazhduar të respektojmë një rregull të thjeshtë: kushdo që na dëmton, ne e dëmtojmë atë”, shkroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore