Sport

Hetimi: Kriza financiare e Barcelona-s dhe çfarë mendon pjesa tjetër e futbollit për të


Ndërsa industria e futbollit dridhej nga jehona e pandemisë COVID-19, mendjet e ndritura në sallën e bordit të Barcelona-s shpikën një plan.

Kërkesa e “çuditshme” ndaj UEFA-s

Me klubin të pushtuar nga ankthi financiar, një nga drejtuesit e tyre iu drejtua UEFA-s, organizatorit të Champions League, me një propozim.

Barcelona kërkoi ndihmë për të lehtësuar disi barrën ekonomike të shkaktuar nga vendimmarrja e dobët në tregun e transferimeve, si dhe pagat super të larta.

Përpos këtyre faktoreve, pandemia vetëm sa do e përkeqësonte situatën, me të ardhura të pakta nga ndeshjet dhe të drejtat komerciale.

Prandaj, ideja e Barcelona-s ishte që të merrte një kredi nga një bankë dhe si kolateral të liheshin të ardhurat e parashikuara nga pjesëmarrja në Champions League për vitet e ardhshme. Të ardhura këto që pritet të vijnë nga të drejtat televizive.

Përgjigja e UEFA-s ishte një “jo” e drejtpërdrejtë. Vendimi i qeverisë së futbollit evropian lidhet me faktin se Barcelona nuk e ka të sigurtë nëse do të marrë pjesë çdo vit në Champions League.

Pjesëmarrja e një skuadre në Champions sigurohet përmesë meritës sportive dhe asgjë nuk është e sigurt nëse mund të kualifikohesh sezonin pasardhës apo jo.

Sipas “The Athletic”, lidhur me këtë ngjarja, UEFA tha se nuk ishte në gjendje të komentonte publikisht për shkak të “konfidencialitetit të procesit”.

Ndoshta, megjithatë, ky është lloji i dëshpërimit dhe, nganjëherë, arrogancës që ka bërë që shumë drejtues të klubeve rivale dhe mbështetës të futbollit në mbarë botën ta shohin Barcelona-n me hutim kohët e fundit.

Transferimet e verës 2022

Këtë verë, kurioziteti është zhvilluar, diku, në zili dhe pakënaqësi, pasi Barcelona shpenzoi 140 milionë euro për të nënshkruar me Raphinha nga Leeds United, Robert Lewandowski nga Bayern Munich dhe Jules Kounde nga Sevilla.

Ata gjithashtu morën Andreas Christensen dhe Franck Kessie nga Chelsea dhe Milan respektivisht si transferime të lira.

Barcelona gjithashtu shpreson të nënshkruajë me dy lojtarë të tjerë të Chelsea-t, Cesar Azpilicueta dhe Marcos Alonso. Katalanasit kane arritur te rinovojne dhe me anesorin francez, Ousmane Dembele.

Madje mund të thuhet se nuk përfundon këtu. Ata duan të nënshkruajnë dhe me Bernardo Silva-n nga Manchester City. Një transferim që mund të kushtojë 80 milionë euro.

Presidenca e dytë e Laporta-s në krye të Barcelona-s

Vetëm dy muaj më parë, presidenti i klubit Joan Laporta tha se skuadra nga “Camp Nou” kishte qenë “klinikisht e vdekur” kur ai u zgjodh në mars 2021.

Gushtin e kaluar, Laporta dha një konferencë për shtyp në të cilën ai zbuloi një borxh prej 1.35 miliardë eurosh të klubit.

Kjo përpara se të përshkruante se si detyrimet e klubit për pagat përbënin 103 për qind të të ardhurave.

Një hua me vlerë 80 milionë euro ishte marrë për të mbuluar pagat e lojtarëve në fillim të vitit kalendarik.

Një tjetër linjë kredie me vlerë 550 milionë euro ishte kërkuar nga “Goldman Sachs” për të ristrukturuar borxhet e klubit.

Mbrojtësi i veteran, Gerard Pique, pranoi një ulje page në verën e kaluar në mënyrë që Barcelona të mund të regjistronte nënshkrimet e reja Eric Garcia dhe Memphis Depay.

Shefi ekzekutiv i klubit, Ferran Reverter, i cili që atëherë është larguar pas mosmarrëveshjeve me Laporta-n, tha se një auditim i financave të klubit zbuloi se Barcelona ishte “teknikisht e falimentuar”.

Shkurtimisht, ishte një rrëmujë dhe, me sa duket, tundimi është për të arritur në përfundimin e trajnerit të Bayern-it, Julian Nagelsmann.

“Barcelona, ​​i vetmi klub që nuk ka para, por pastaj… blen çdo lojtar që dëshiron. Nuk e di se si (ata e bëjnë këtë). Është disi e çuditshme, disi e çmendur”, tha tekniku gjerman.

Në “Camp Nou”, megjithatë, ata i shohin gjërat ndryshe, dhe argumenti i tyre është se investimi do të nxisë rritjen dhe do të stimulojë kthimin e klubit në samitin e futbollit evropian.

Frenkie de Jong, i blerë me bujë të madhe për 65 milionë paund tre vite më parë, tashmë po kthehet në shqetësim të madh për klubin.

Aktualisht, Barcelona i detyrohet 17 milionë paund paga të prapambetura De Jong-ut. Dhe nëse ai pranon të largohet nga klubi, këta të fundit janë të detyruar ta paguajnë.

Ish-kapiteni i Manchester United dhe eksperti i TV në Mbretërinë e Bashkuar, Gary Neville, tha se sindikata globale për futbollistët, FIFPro, duhet të mbështesë De Jong.

Në lidhje me këtë ngjarje reagoi Laporta.

“Unë i respektoj të gjitha opinionet, por ata nuk kanë informacion për të thënë këto deklarata”, tha ai.

“Lojtarët që kemi nënshkruar këtë verë janë një investim. Disa njerëz e konsiderojnë atë si një shpenzim”.

“Lojtarët ekzistues i kuptojnë në mënyrë të përsosur investimet tona sepse lojtarët që ne po nënshkruajmë po i përshtatin pagat e tyre në një strukturë të re”.

“Nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë ndoshta klubi do të zhduket”, vijoi Laporta.

Për të kuptuar sjelljen e Barcelona-s këtë verë, duhet të kujtojmë përvojën e klubit në sezonet e fundit.

Pas tetë titujve në La Liga-s në 11 sezone midis 2009 dhe 2019, Barcelona tani ka duruar tre sezone pa fituar kampionatin. Teksa janë shtatë vjet që kur arritën në një finale të Champions League.

Vitin e kaluar, katalanasit humbën shërbimet e Lionel Messi-t, i cili kaloi me parametra zero te Barcelona. Në vend të tij mbërriti Luuk de Jong.

Sezoni që pasoi ishte dërrmues, pasi Barcelona doli nga Champions në fazën e grupeve dhe më pas humbi në çerekfinalet e Europa League nga Eintracht Frankfurt.

Transferimet e shtrenjta të dështuara

Shumë vëzhgues të afërt besojnë se fillimi i rënies së Barcelona-s fillon që nga shitja e Neymar te PSG në 2017 për 222 milionë euro dhe mënyra se si u shpenzuan ato të ardhura.

Ata dhanë një total prej 375 milionë eurosh për Philippe Coutinho, Dembele, Paulinho, Nelson Semedo, Gerard Deulofeu dhe Malcom.

Sezonin vijues, 273 milionë euro të tjera shkuan për Antoine Griezmann, De Jong, Martin Braithwaite, Neto, Junior Firpo, Emerson dhe Marc Cucurella.

Është e vështirë të përshkruash një nga lojtarët e mësiperm si të suksesshem te Barcelona.

Në rastin e Griezmann, ata morën një hua për të financuar transferimin e tij nga Atletico Madrid.

Barcelona mbajti një sërë takimesh, duke përfshirë një udhëtim në Gjermani, për të tentuar të nënshkruajë me Erling Haaland nga Borussia Dortmund këtë verë. Por ai u bashkua me Manchester City-n.

Me pak fjalë, ka qenë një sprovë dhe ndjenja e krizës së Barcelona-s u bë mjaft e rëndë sa që gruaja e trajnerit të tyre të mëparshëm, Ronald Koeman, filloi të ndizte qirinj në një statujë të Budës.

“Lufta” për të korruptuar UEFA-n

Simon Kuper gazetari i “Financial Times” ka treguar disa prapaskena interesante mes një anëtari të bordit të Barcelona-s dhe një zyrtari të UEFA-s.

“A ka ndonjë në departamentin tuaj FFP që mund të paguajmë?”, besohet se janë këto fjalët e anëtarit të Barcelona-s drejtuar zyrtarit të UEFA-s, sipas Kuper.

Zyrtari i UEFA-s e kuptoi se homologu i tij po përpiqej të gjente dikë që të jepte ryshfet.

Është një pretendim i jashtëzakonshëm dhe ishte edhe më mbresëlënës këtë javë kur “The Athletic” pyeti UEFA-n nëse zyrtari i tyre në fjalë e kishte zbuluar së brendshmi këtë bisedë.

UEFA tha se organizata “nuk është në dijeni për ndonjë takim apo kërkesë të tillë”.

Duhet thënë se ky pretendim, bashkë me apelin drejtuar UEFA-s për paradhënie parash televizive, i paraprin regjimit të Laporta-s.

Qasja e re që ndjek klubi

Klubi, nën presidentin e tyre të ri, po ndjek një qasje të ndryshme për t’u rikthyer në lavditë e tyre të mëparshme.

Laporta kaloi disa kohë muajin e kaluar në Las Vegas, ku Barcelona mposhti Real Madrid-in në një El Clasico parasezonale dhe ndoshta ishte një metaforë e përshtatshme për një njeri që po hedh zarin për të ardhmen e klubit të tij.

Pasi kishte trashëguar borxhe të mëdha kur filloi periudhën e dytë si president, Laporta u përball me një zgjedhje.

Një opsion ishte shitja e skuadrës për të ulur borxhet dhe për të pranuar se klubi do të kalonte vite në shkretëtirë. Alternativa ishte të rrezikonin duke investuar më tej në skuadër.

Si përfundim u vendos opsioni i dytë, që njihet si “Rrethi i virtytshëm”. Një situatë që është zbatuar dhe në vitin 2003 dhe bazohet te investimi në fushë me lojtarë të talentuar, apo dhe krijimin e markave (si Ronaldinho në atë kohë).

Këtë herë, Lewandowski shihet si blerja thelbësore dhe konsiderohet si njeriu që drejton shitjet e fanellave dhe demonstron se Barcelona me të vërtetë është kthyer.

Ana negative është se polaku mbush 34-vjeç këtë muaj dhe i është dhënë një kontratë fitimprurëse katërvjeçare.

Megjithatë, nënshkrimi i Lewandowski-t nuk është regjistruar zyrtarisht në La Liga. Barcelona ka nevojë për një ulje të pagave ose për largime në mënyrë që të regjistrojë polakun dhe afrimet e tjera këtë merkato.

Liga spanjolle shqyrton llogaritë e audituara të një klubi dhe vendos një kufi të përcaktuar për të ardhurat. Barcelona duhet të përmbushë këto rregulla përpara se La Liga të miratojë regjistrimin e një lojtari.

Kjo ka qenë një çështje kryesore për ta në vitet e fundit. Klubi shpesh mbështetet te lojtarët ekzistues për të pranuar paga më të ulëta dhe për të lejuar regjistrimin e shokëve të rinj të skuadrës.

Shkalla e keqmenaxhimit të pagave

Në vitin 2019, pagat e tyre prej 501 milionë euro ishin 33 për qind më të larta se ato të Manchester United. Dhe United ishte paguesi i dytë më i lartë në Evropë.

Një rrjedhje e kontratës së Messi-t në gazetën spanjolle “El Mundo” në janar 2021 zbuloi se zgjatja katërvjeçare që argjentinasi nënshkroi në 2017 ishte me një vlerë totale prej më shumë se 550 milionë euro bruto nëse plotësoheshin të gjitha kushtet dhe klauzolat.

Fatura e pagave të tyre u lehtësua me mbi 200 milionë euro kur Messi u largua pas skadimit të kontratës së tij. Atletico tani mbulon të gjithë pagën e Griezmann.

Por huamarrja ka vazhduar

Laporta mori lejen në tetor për të kërkuar më shumë para, këtë herë 1.5 miliardë euro të tjera nga “Goldman Sachs” për të rimodeluar stadiumin e klubit “Camp Nou” dhe zonën përreth tij.

Këtë verë, Barcelona ka kërkuar të qetësojë La Liga-n duke shkaktuar disa leva ekonomike.

Ata njoftuan një marrëveshje me “Spotify” në mars, e cila thuhet të jetë me vlerë 62.5 milionë euro në vit.

Barcelona ka rënë dakord të shesë 25 për qind të të ardhurave të saj nga të drejtat televizive në La Liga për 25 vitet e ardhshme tek firma globale e investimeve “Sixth Street”.

10 për qindëshi i parë i kësaj marrëveshje ka një vlerë totale të fitimit kapital prej 267 milionë euro, ndërsa shifra për pjesën tjetër nuk është bërë publike, por mendohet se ka vlerë mbi 300 milionë euro.

Kjo ka ndarë opinionin

Barcelona aktualisht merr rreth 160 milionë euro për të drejtat televizive vendase dhe ndërkombëtare në La Liga, që do të thotë se, në fakt, do të heqë dorë nga 40 milionë euro vitin e ardhshëm.

Të hënën, ndërsa njoftoi nënshkrimin e Kounde, Barcelona tha se kishte shitur një 10 për qind të aksioneve të shtëpisë së tyre të prodhimit “Barca Studios” te platforma e Socios.com, për 100 milionë euro.

Laporta gjithashtu ka miratimin për të shitur deri në 49 për qind të operacionit të tregtimit dhe licencimit të Barcelona-s.

Më 5 korrik, gazeta me bazë në Madrid, “Marca” publikoi detaje të kontratës së Frenkie de Jong me Barcelona-n.

Sipas raportit, Barcelona i detyrohet De Jong-ut deri në përfundim të kontratës 88.58 milionë euro në paga dhe pagesa bonus.

Çfarë dyshohet se fshihet pas publikimit të kontratave

Përfaqësuesit e lojtarëve të Barcelona-s kanë vërejtur se si kontratat e Messi, Griezmann dhe De Jong janë publikuar në gazetat spanjolle dhe disa i thanë “The Athletic” kjo i bëri ata të dyshonin se rrjedhjet mund të kenë ardhur nga vetë Barcelona-s si përpjekje për të ushtruar presion mbi lojtarët duke drejtuar opinionin publik kundër tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore