Shqipëria

Hetimi i “21 Janarit”, sot dëshmon në SPAK Rajmonda Nika


Rajmonda Nika – pas 13 vitesh në kërkim të drejtësisë – do të paraqitet këtë të hënë të 22 korrikut në dyert e Prokurorisë së Posaçme SPAK, për herë të parë me shpresën për të vënë në vend drejtësinë për humbjen e jetës së bashkëshortit të saj, Aleks Nika.

Ajo do të paraqitet para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në orën 10:00 për kallëzimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesit të gardës Ndrea Prendi.

Dy orë pas saj do të pyetet edhe Mark Nika.

Të afërmit e Aleks Nikës kanë pretenduar se kanë një kasetë ku jepet urdhri për vrasjet shtetërore, të cilën do t’ia vënë në dispozicion SPAK-ut.

Familja Nika ka insistuar vazhdimisht se plumbat mbi turmën e protestuesve para kryeministrisë në 21 janarin e vitit 2011, u lëshuan me urdhër të Berishës dhe Bashës.

Sakaq SPAK – me dyshimin se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës- po heton për tre vepra të rënda penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

Gjykata e Strasburgut urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve, Gjykata e Lartë e lexoi qartë këtë vendim dhe detyroi SPAK të nisë hetimet për 21 janarin për të verifikuar rolin e drejtuesve të lartë shtetëror.

Mark dhe Rajmonda Nika do të merren në pyetje, teksa më herët xhaxhi ka lajmëruar se do të dorëzojë edhe një audiokasetë me prova – sipas tij – të vrasjes shtetërore.

E gjitha vjen pas nisjes së hetimeve nga SPAK një ditë më parë.

SPAK ka bërë me dije se nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut, ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:

-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

-“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

-“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

“Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa”, vijon njoftimi i SPAK.

Referuar njoftimit, regjistrimi i procedimit është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posaçme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin SPAK është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika.

Po ashtu është bërë edhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.

Sakaq, bëhet me dije se Drejtuesi i SPAK ka vendosur ndër të tjera:

-Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

-Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

-Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore